Deputeti i PDK-së sot intervistohet në Hagë në cilësinë e dëshmitarit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka njoftuar se sot në cilësinë e dëshmitarit do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, në Hagë.

“Ju njoftoj se sot, më 7 shtator, në cilësinë e dëshmitarit, po i përgjigjem ftesës për intervistë nga Dhomat e Specializuara në Hagë”, ka shkruar ndërkaq Shala në Facebook të hënën.

“Sot dhe përjetësisht krenar që pata nderin të luftoj për ty Kosovë, UÇK, dhe ju familja ime!”, ka shtuar ai.

Deputeti Shala kishte njoftuar edhe në fillim të këtij viti se do të intervistohej nga Specialja në muajin shkurt.

Ish pjesëtari i UÇK-së, Ferat Shala ka qenë edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.