Deputetët e LVV-së mbështesin idenë e Vjosa Osmanit për qeveri transitore

Deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe Fitim Uka kanë deklaruar se e mbështesin idenë e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për një qeveri transitore.

Bajqinovci ka thënë se përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion do të ishte Murat Jashari.

“Si deputet i Kuvendit e mbështesë plotësisht idenë e kryetarës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani për një Qeveri tranzitore 6 deri në 9 muaj, me ministra teknik dhe e udhëhequr nga një figurë mbi partiake që do të mundësonte funksionimin e vendit pa përplasje të thella deri në zgjedhjet e ardhshme. Jam i bindur që përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion, do të ishte njëri nga përfaqësuesit e familjes emblematike të kombit tonë, z. Murat Jashari”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas deputetit të LVV-së, “mendjet e kthjellta politike na nevojiten tani më shumë se kurrë”.

Edhe deputeti Fitim Uka ka deklaruar se “figura unifikuese e mbi-partiake që nuk do shumë kërkim, është padyshim Murat Jashari”.

“Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, paska thënë se ‘e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik’”, ka shkruar Uka në Facebook.

“Me një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, me një Qeveri ilegale e joprofesionale në sfond, që varet nga Lista Serbe, do të votoja për një Qeveri të tillë tranzitore, që e ndal pazarin e territoreve dhe i hap rrugën zgjedhjeve pas 6 muajsh”, ka shkruar tutje ai.

Vjosa Osmani shpjegon idenë e saj për qeveri transitore me ministra teknikë