Konjufca në takim me delegacionin zviceran, Foto: Kuvendi i Kosovës

Deputetë zviceranë mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion të Partisë Socialdemokrate (SP) nga Zvicra dhe delegacionin e Unionit Arab.

Në takim me delegacionin zviceran, kryetari Konjufca ka vlerësuar lart marrëdhëniet dypalëshe dhe ka falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, që nga koha e paraluftës dhe në vazhdimësi.

“Konjufca ka shprehur gatishmëri për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin politik dhe ekonomik, duke theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Zvicrën vend mik dhe partner të rëndësishëm në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Sipas njoftimit socialdemokratët, dhe deputetët zviceranë, kanë ofruar mbështetjen e shtetit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në EFTA dhe në Këshillin e Evropës. Kosova ka parlajmëruar për aplikim për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Delegacioni nga Zvicra, përbëhej nga deputetët nacionalë, Fabian Molina dhe Mustafa Atici, deputeti komunal Reis Luzhnica, anëtari i Kryesisë së SP-së Arbër Bullakaj, sindikalistët Osman Osmani dhe Florim Kadriu, sekretarja e grupit të SP-së për çështje të emigracionit, Lara Can, si dhe Urim Deva, delegat i këtij grupi.

Ndërsa në takimi me delegacionin arab, Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet e mira me shtetet arabe, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim konkret në fusha të ndryshme me interes për Kosovën, siç janë energjia, mjedisi dhe bujqësia.

Delegacioni arab, nga ana e tij, premtoi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e përkrahjes së Kosovës në projekte mjedisore dhe zhvillim të qëndrueshëm, thuhet në komunikatë.

Delegacionin i Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, janë pjesëmarrës të Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane, që do të mbahet më 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministra e Mjedisit.

Konjufca në takim me delegacionin zviceran, Foto: Kuvendi i Kosovës
Konjufca në takim me delegacionin e Unionit Arab. Foto: Kuvendi i Kosovës