Monedhat euro dhe dollarë, Ilustrimi: Pixabay

Dërgohen në Komisionin e Venecias amandamentet e Projektligjit e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i është drejtuar Komisionit të Venecias me kërkesën për verifikimin e amendamenteve të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj.

“Pas përfundimit të punës së Grupit Punues në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në koordinim me Ministren e Drejtësisë, dje i jam drejtuar sërish Komisionit të Venecias, me kërkesën për verifikimin e amendamenteve, nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj” – ka bërë të ditur Konjufca.

Me 58 vota për dhe tre abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në korrik të këtij viti.

Në shkurt të këtij viti ishte shtyrë votimi i këtij projektligji për një afat të pacaktuar, deri në kthimin e një përgjigje nga Komisioni i Venecias. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ishte drejtuar këtj Komisioni me kërkesë të opozitës.

Në muajin maj, i pari i Kuvendit kishte pritur në takim përfaqësues të Komisionit të Venecias ndërsa në korrik filloi nga pika zero diskutimi për këtë projektligj.