Ankohet Bekë Berisha: Po na merr gjumi se nuk po ka ajër në Kuvend

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka adresuar te kryeparlamentari Glauk Konjufca disa çështje që kanë të bëjnë me kushtet në Kuvendin e Kosovës.

Berisha ka adresuar mënyrën e votimit, që sipas tij nuk është duke funksionuar siç duhet.

Ai po ashtu ka thënë se dje në sallën parlamentare nuk ka pasë mjaftueshëm ajër, dhe sipas tij për këtë arsye po i merr gjumi në seancë.

“Prej që kemi fillu seancat në këtë mandat, teknika nuk funksionon, njëherë kemi votu me dorë, tash nuk po funksionon as kështu. A ka mundësi ky Kuvend me menaxhu një bufe, bëjeni funksionale, a ke autoritet ti si kryetar i Kuvendit. Kemi probleme me shtesa e mëditje. Kemi pasë dje probleme me ajrosje. Po na merr gjumi kur po hyjmë brenda sepse nuk po ka ajër. Me na plotësu kushtet me mbajt seanca siç duhet” – ka thënë Berisha mes tjerash.

“Dështim total në çdo aspekt. Që gjashtë muaj ka policë që nuk ndërrohen. Rroga ju ka zvogëluar” – tha ai.

Kuvendi sot po vazhdon punimet e seancës plenare e cila ka mbetur e papërfunduar dje e që në rend dite ka debatin parlamentar për dy vjetorin e Qeverisë Kurti.