Provat e prokurorisë defekti në frenat e kamionit shkaktar i aksidentit në Gjilan

Në një aktakuzë të përbërë prej 22 faqeve Prokuroria Themelore në Gjilan ka përmbledhur të gjitha dëshmitë, ekspertizat e të involvuarve në rastin e aksidentit të 7 marsit të këtij viti, aksident ky i cili ndodhi në qendër të Gjilanit nga ku dy persona kanë vdekur ndërsa dhjetra të tjerë janë lënduar.

Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Vigan Tiganit pronarit të kompanisë “Uji i Peja” dhe punëtorit të tij Mustafë Avdiaj.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit Mustafë Avdiaj t’i shqiptohet dënimi, ndalimi i drejtimit të automjetit si dhe në bazë të ligjeve dhe neneve në fuqi, automjetin me të cilin e ka shkaktuar aksidentin Avdiaj dhe e cila është pronë e VEV Group të konfiskohet.

30 dëshmi të dhëna në prokurori përfshirë edhe ato të të dy të pandehurve kanë ndihmuar që prokuroria të dalë me një përfundim në lidhje me aktakuzën e ngritur.

Gjithashtu në aktakuzë janë të bashkangjitura edhe gjashtë ekspertiza për të cilat është angazhuar nga një ekspert.

Çka thotë ekpertiza e komunikacionit  për mënyrën e shkaktimit të aksidentit  të komunikacionit

Duke e parë  mënyrën e kryerjes së veprës penale  më të cilin rast janë shkelur dispozitat e Ligjit për rregullat  e trafikut rrugor, Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë  për  konstatim dhe  përgjigje profesionale  se me  lëshimet e kujt  ka ardhur  deri te aksidenti  i komunikacionit .

Gjithmonë sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, raporti i ekspertizës së komunikacionit doli se: “ Shkaktar kryesor i aksidentit në komunikacion ishte ngasësi i automjetit transportues ku i pandehuri ka drejtuar automjetin transportues pa kontrollë teknike dhe pa dokumentacionin tjetër të nevojshëm për qarkullim, ku gjendja teknike jo e rregullt dhe mungesa e të gjitha dokumenteve të nevojshme për qarkullim ishin të ditura nga ngasësi.

– ka vazhduar lëvizjen dhe drejtimin e automjetit transportues  në një distancë prej 1166 metrave, nga pemtaria “VILSON”, deri te ndalja e plotë , duke mos shfrytëzuar manovrimin me timon për  nxjerrjen e automjetin jashtë rrugës.

– pas, dështimit të sistemit të frenimit, përshkak të ngarkesës dhe teposhtëzes,  automjetit vazhdimisht i është rritë shpejtësia mbi atë të lejuar, me çka janë  rrezikuar pjesmarrësit në komunikacion.

Shkaktar dytësor Firma “Uji i mirë”, e cila ka vënë në qarkullim me dijeni automjetin transportues, të cilit i mungonin:

– Kontrollimi teknik dhe gjendja jo e rregullt teknike – Certifikata e regjistrimi të automjetit, – Certifikata e kontrollimit  teknikik (kontrollimi teknik ishte i skaduar me dt:18.08.2017), – Çertifikata e tahografit, ku çertifikata e tahografit i kishte skaduar me dt:14.12.2018, – Urdhërin e udhëtimit, – Dëshmia e ngarkesës në mjet, – Vërtetimi se automjeti është në gjendje të rregullt për ngasje( qarkullim), – Ditari e automjetit, – Fletën garantuese për servisim të aparatit kundër zjarrit.

Në bazë të eksperizës   mbi egzaminimin  e gjendjes teknike   automjetit  të datës 10 Maj 2019  është konstatuar se :

Sistemi i drejtimit te kamionit para dhe gjatë aksidenteve zingjirore , ka funksionuar mirë

Mungesa e ajrit  të komprimuar , sasia e pamjaftueshme  e glicerinës  në enën  e sistemit hidraulik  të komandimit  të lidhëses  friksione  ose ndonjë  defekt tjetër  në këtë sistem  i ka pamundësuar ngasësit  që t’a ngasë  kamionin  në shpejtësinë me të vogël të mundshme

Efikasiteti  i sistemit  të frenimit  në kamion nuk ka mundur  të egzaminohet në Qendrën e kontrollimit  teknik  për shkak të dëmtimeve të mëdha   të kamionit

Sistemi i frenave  punues  në kamion  ka dështuar si rezultat i dëmtimit ( plasaritjes) së gypit

Sistemi i frenimit  emergjent (tre stop cilindrave) në rrotat e boshtit  ngasës të kamionit  ka qenë  paraprakisht i deaktivizuar , në anën e majtë  plotësisht , kurse  në anën e djathtë  pjesërisht

Të gjitha gomat në kamion kanë qenë ne gjendje  të mirë teknike

Kështu që sipas ekspertizës,sistemi i frenave punues  të kamionit  ka dështuar , si pasojë e dëmtimit  të gypit elastik , që mund të ketë ndodhur pak çaste  para aksidentit , kurse dështimi i funksionimit  të frenave emergjent  është pasojë e intervenimit  paraprak  në ta , respektivisht  de-aktivizimi i tyre.

Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan të siguruar nga KALLXO.com, kontrollimi i fundit i kamionit kishte qenë në korrik të vitit 2016.

Më 18 korrik 2017 të njëjtit automjet i ka skaduar edhe regjistrimi.

Dëshmitë e dëshmitarëve

Duke përfshirë edhe dëshmitë e dy të pandehurve, Prokuroria Themelore në Gjilan më saktësisht prokurorja e rastit Rozelinda Manastiri ka dëgjuar plotë 28 dëshmi të dëshmitarëve të aksidentit që ndodhi në qendër të Gjilanit në mars të këtij viti.

I pandehuri Mustafë Avdiaj tregon para prokurorisë, se nga Peja deri në Gjilan, kishte ndaluar disa herë për të bërë shkarkimin e ujit në disa markete.

Ai madje deklaron edhe momentin kritik të aksidentit pas ndalesës së fundit.

“Pasi që jam nisur pas disa metrave një veturë më ka dal përpara , unë kam provuar të frenoj mirëpo, kam vërejtur që nuk mund të frenoj dhe për t’i ikur goditjes me atë veturë unë kam kthyer kamionin dhe kam dal në shiritin e kundërt të rrugës, ku jam munduar që kamionin ta vë në shpejtësi por nuk ka hyrë dhe përkundër tentimeve të mia që kamionin ta vë në shpejtësi ,unë këtë nuk kam mundur dhe rrugës në drejtim të qytetit vendi i saktë nuk më kujtohet sepse kam qenë i shqetësuar nga situata e krijuar, kam prekur rrëshqitazi një veturë të markës Audi. Duke e parë që nuk ka mundësi tjetër me ndërruesin e shpejtësive atëherë jam përqendruar vetëm në timon me të cilën jam munduar që t’i shmang goditjeve si në njerëz  ashtu edhe në  vetura. Edhe pse gjatë gjithë kohës,  unë i kam rënë borisë që t’i paralajmëroj njerëzit që të largohen nga rruga.Kështu që ,unë kam vazhduar me kamion në drejtim të qytetit dhe saktësisht vendi nuk më kujtohet por për t’i ikur goditjes së disa këmbësorëve unë kam goditur veturat që kanë qenë në rrugë, por sa kanë qenë unë nuk e di dhe gjithashtu kam vazhduar në drejtim të qendrës së qytetit  dhe gjatë gjithë rrugës jam munduar që të shmang goditjet ndaj ndonjë automjeti dhe këmbësorëve.Kur kam kaluar udhëkryqin e Prishtinës, përpara kam pasur një veturë mercedes dhe për ti ikur goditjes ndaj tij, kam kthyer timonin në anën e majtë ku edhe jam përplasur në dy drunjë që kanë qenë në skaj të rrugës e më pas përsëri kam kthyer timonin në anën e djathtë dhe aty tek rrethi , me sa më kujtohet ka qenë një veturë xhip e kam goditur në skaj në pjesën e prapme dhe jam përplasur në një traktor i cili ka qenë para tij dhe aty është ndalur kamioni pas kësaj përplasje. Përderisa kam qenë brenda i zënë në kamion unë dhe ……  i kemi bërtitur qytetarëve të cilët kanë filluar të mblidhen që tu ndihmojnë njerëzve të cilët kanë nevojë , e më pas pasi që kanë ardhur zyrtarët policor unë dhe …… kemi dal vet nga kamioni”, kishte deklaruar Avdiaj para prokurorisë.

Gjithashtu i njejti në deklaratën e tij ka thënë se prej Pejës e deri në Gjilan, nuk ka pasur probleme me kamion  dhe se në bazë të fjalëve të pronarit Vigan Tiganit e ka ditur që kamioni ka kontroll teknike të kryer dhe e ka sigurimin por që dokumentet janë në Prishtinë për regjistrim.

Duke shtuar se “sa herë që jam nisur për rrugë e kam ngritur shqetësimin tim tek Vigan Tigani se kamioni duhet të dërgohet për servisim sepse i njëjti ka pasur një zhurmë në formë të kërsitjes ndërsa konkret për ndonjë problem si frenat apo ndonjë pjesë tjetër unë nuk i kam thënë sepse nuk kam pasur problem por  vetëm servisimin e përgjithshëm”.

Deklarata e pronarit të “Uji i Mirë”, Vigan Tigani shpjegon se punëtori i tij kishte ngritur shqetësimet për kamionin ndërsa ky e kishte sygjeruar që ta dërgoj për servisim.

“Mustafa e ka ngritur shqetësimin e tij, ku unë i kam thënë që kamionin ta dërgojë tek servisi më i mirë dhe i njëjti e ka dërguar me siguri sepse ai është punëtori më i mirë dhe unë tek ai kam besim. Duke shtuar se ai e posedon vetëm ketë kamion mirëpo për shkak të regjistrimit të njëjtin jam munduar ta shfrytëzojmë sa më pak dhe në rastet që kam pasur nevojë për shpërndarje të mallit unë kam kontraktuar me qira kamiona edhe nga kompani tjera transportuese”, thuhet në deklaratën e Tiganit e cila është e vendosur në aktakuzë.

Gjithashtu aktakuza përmbanë edhe deklaratat e dëshmitarëve të rastit të cilët shpjegojnë ngjarjën kritike.

“…Unë në taksi kam hypur përball Hotel Kristalit dhe kemi vazhduar ne drejtim të stacionit të autobusëve dhe me të arritur afër furrës Qoqaj, unë në ato momente nuk kam qenë duke shiqu përpara dhe asgjë nuk më kujtohet, vetëm kur e kam parë qe jam e shtrirë në spital në repartin e ORL, në Spitalin Regjional të Gjilanit, ku kam qëndru për katër ditë. Pas katër dite jam liru nga spitali që të vazhdoj me tretman mjekësor në shtëpi”, është njëra nga deklaratata e një dëshmitari të rastit.

“…me të arritur tek furra Qoqaj, përball e ka parë një kamion i kishte goditur një veturë të bardhë dhe ishte duke u bartur zvarr ku në ato momente duke dashur ti shmanget goditjes vetura taxi ka dredhuar djathtas por nuk ka arritur pasi që kamioni e ka goditur në mes të veturës në anën e majtë dhe me nuk di se çka ka ndodh se me kishte ra të fikët”, ka deklaruar një tjetër dëshmitar.

KALLXO.com gjithashtu përmban komplet aktakuzën por për shkak të personave të shumtë të involvuar në rast dhe për të ruajtur identitetin e gjithësecilit ka ndarë me ju disa prej çështjeve më të rëndësishme.