Foto-ilustrim

Dënohen me burg dy persona të akuzuar për vjedhje të parave të metalta e të cigareve në një market në Shtime

Dy persona janë dënuar nga Gjykata e Ferizajt me nga 1 vit burg për vjedhje të rëndë.

Sipas vendimit, V.R. dhe B.R., të cilët janë djem të axhës mes vete, kanë marrë të holla të metalta e cigare në një market në Shtime.

Në vendim thuhet se të pandehurit, të maskuar, kanë këputur drynin dhe kanë hapur derën e marketit ndërsa pasi i kanë marrë paratë dhe cigaret janë larguar në drejtim të fshatit.

“Më datë 27 tetor 2018, rreth orës 04:13, pas mesnatës, në Shtime, të pandehurit në bashkëkryerje shkojnë me automjetin e tipit “Fiat Punto”, ngjyrë e kaltër e mbylltë, e parkojnë në oborrin e ordinancës së, maskohen, ashtu që i pandehuri V… vesh një mantel të gjatë të bardhë dhe kapelë në kokë, ndërsa i pandehuri B…. me jakne (gjup) ngjyrë të kuqe dhe me kapelë në kokë nga aty shkojnë në market, pastaj me përdorimin e forcës këpusin drynin dhe hapin derën, depërtojnë brenda në market nga marrin të holla të metalta, cigare dhe largohen në drejtim të fshatit”- thuhet në vendimin e Gjykatës të datës 11.10.2022.

Për këtë vepër penale, i akuzuari V.R. është gjykuar me dënim burgu në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe me dënim në të holla në shumë prej 200 euro

Po ashtu edhe i akuzuari B.R. është gjykuar me dënim burg në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe me dënim në të holla në shumë prej 200 euro.

Në vendim tutje thuhet se të akuzuarit dënimet e shqiptuara me burg kanë për t’i vuajtur brenda afatit prej 30 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe po ashtu në të njëjtin afat janë të obliguar që t’i paguajnë edhe dënimet e shqiptuara me gjobë.

Gjatë shqyrtimit fillestar dy të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën janë akuzuar. Në arsyetim thuhet se Gjykata gjendjen e tillë faktike e ka vërtetuar në bazë të provave të prezantuara dhe të analizuara në shqyrtimin gjyqësor.