Dëmet që shkaktuan vërshimet në Komunën e Rahovecit - Foto

Pas reshjeve të shumta të shiut janë dëmtuar prona private dhe publike në komunën e Rahovecit.

Një qytetar ka ndërguar në adresën e KALLXO.com fotografi në të cilën shihet prona e dëmtuar në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës pas përmbytjeve që janë shkaktuar në këtë komunë nga reshjet e shiut.

“Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar dhe kërkoj ndihmë nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, e për t’i kompenzuar dëmet e mëdha të cilat do të dihen pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona, të cilat do t’i evidentojnë ditëve në vijim”-thuhet në një publikim të Latifit në Facebook.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar sot komunat e prekura nga përmbytjet e shiut, për të parë gjendjen dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme.

Sipas njoftimit të qeverisë, Krasniqi është takuar me kryetarin e komunës së Rahovecit dhe atë të Gjakovës.

“Pas reshjeve të shumta të shiut, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, po viziton komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Me Kryetarin e Komunës së Rahovecit, z.Smajl Latifi, ministri Krasniqi pa nga afër gjendjen nga vërshimet në fshatin Bellacerkë, Ratkoc dhe Radoste. Nga Rahoveci, ministri Krasniqi vazhdoi për në Gjakovë, që me Kryetarin z.Ardian Gjini, të vizitojnë zonat e prekura nga vërshimet dhe dëmet e shkaktuara”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.