Blerta Deliu-Kodra n senc

Deliu – Kodra: Në raportin e Komisionit Europian fjala korrupsion është përmendur 99 herë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit disa nga gjetjet e raportit të Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023.

Ajo ka thënë se sipas raportit në të gjitha fushat ka progres të limituar.

Deliu – Kodra ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur gjetjet e raportit në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, teksa ka thënë se në tri vite të kësaj qeverie nuk ka pasur fare progres në këtë fushë.

“Si mos më keq është thënë se është gjendja me luftën ndaj korrupsionit ku konstatohet se Kosova është në fazë fillestare dhe është bërë progres i limituar. Në raportin e këtij viti fjala korrupsion është përmendur 99 herë. Në 2020-tën fjala korrupsion është përmendur 88 herë, në 2021 është përmendur 93 herë, në vitin 2022, 99 herë”- ka thënë ajo.

“Pothuajse në secilën faqe nuk ka punë që kjo qeveri e ka bërë e s’ka pas korrupsion. Edhe pse LVV dhe lideri Kurti siç thoshin e kanë prioritet luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, po del që pikërisht në këtë fushë tash e tri vite nuk është bërë pothuajse fare progres”- ka shtuar ajo.

Ndërsa ka përmendur edhe fusha tjera që sipas saj janë vlerësuar me notën 1.

“Pra ka vlerësuar me notën 1 të gjitha fushat që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, administratën publike, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, lirinë e medias, pra pothuajse të gjitha fushat që kanë të bëjnë me afrimin me Bashkimin Europian”- ka thënë ajo.

 

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të opozitës po mban sot debat lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Europian për Kosovën, për vitin 2023.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023, është raportuar edhe për luftën e Kosovës kundër korrupsionit.

Detaje të shumta të punës së shtetit në drejtim të kësaj lufte u dhanë në këtë raport, por e gjithë puna që është bërë, prapë, sipas Komisionit Europian, nuk bëri që Kosova të ketë një progres të fuqishëm.

“Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze” – thuhet në raport.

Raporti i Progresit për Kosovën: Korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze