Deklarohet Xhaferi pasi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri më i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është deklaruar para mediave pas zgjedhjes së tij si kryeministri i parë shqiptar i këtij shteti.

Ai tha se me krenari, ndërgjegje të pastërt ka pranuar detyrën, si dhe ka fituar besimin e qytetarëve të vendit.

“Me krenari, me ndërgjegje të pastërt dhe me përgjegjësi të plotë, kam pranuar, kam përgaditur dhe kam fituar këtë besim të qytetarëve përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend. Mbetem koshient i përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve dhe para atyre që në emër të qytetarëve kanë vulosur ardhmërinë e këtij vendi dhe të gjithë qytetarëve” – tha ndër të tjera Xhaferi.

Ai u zgjodh me 65 vota të deputetëve, nga 68 gjithsej sa votuan, duke hyrë kështu në historinë moderne të Maqedonisë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.

Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.