Foto: Vjosa Osmani, Facebook

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor: Presim angazhim konstruktiv nga Kosova dhe Serbia në dialog

Pas samitit të përbashkët, udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe të shteteve të tij anëtare, në konsultim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Kjo deklaratë përmban gjithsej 35 pika.

Në pikën e shtatë të kësaj deklarate, ku flitet për dialogun Kosovë-Serbi, liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë thënë se presin angazhim konstruktiv nga të dyja palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërsa thuhet se i nxisin palët që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin zbatues.

“Ne gjithashtu presim që palët të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve” – thuhet në këtë deklaratë.

Në deklaratë thuhet se BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori dhe partneri tregtar kryesor si dhe donatori parësor i rajonit.

Ndërsa thuhet se BE-ja thekson nevojën për angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, edhe me shtetet anëtare të BE-së.

Si pika thelbësore të kësaj deklarate janë; Përballimi së bashku i pasojave negative të luftës të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës, migracioni i parregullt, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar etj.

Deklaratën e plotë mund të lexoni në këtë LINK.

Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar sot në Bruksel, ku e ka përfaqësuar Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se se ka shkuar në Bruksel me një numër të mesazheve, por në radhë të parë për të bërë thirrje për të hequr masat e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës.

Osmani u bën thirrje liderëve të BE-së t’i heqin masat e vendosura ndaj Kosovës

www.kallxo.com