Deklarata e avokatit se Bedri Shabani është dëshmitar i Speciales, nga Haga nuk e komentojnë

Zyra për Media e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të jep detaje apo ta konfimroj nëse Bedri Shabani, i arrestuar në Kosovë për spiunazh është dëshmitar i tyre në Hagë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i komenton hetimet e veta” – tha për KALLXO.com zëdhënësi i kësaj prokurorie, Christopher Bennet më 07.06.2024.

Avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha deklaroi të entjen, më 06.06.2024 se klienti i tij është dëshmitar i Prokurorisë Speciale në Hagë.

Berisha këtë deklaratë e dha pas përfundimit të seancës dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy me etni shqiptare, u arrestuan nga Policia e Kosovës më 05.06.2024 për shkak të dyshimit për spiunazh.

Gjatë basitjes në shtëpitë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Më 06.06.2024, Gjykata e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe të dyshuarve ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

I dyshuari Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv.

Ndërsa i dyshuari Muharrem Qerimi, sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.

Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.

Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:

– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;

– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;

– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.

Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.

Kosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”.