Ilustrim

Deçan, qytetarët ndihmojnë Policinë në kapjen e të dyshuarit për dy vepra penale

Policia e Pejës ka njoftuar se falë bashkëpunimit të qytetarëve është arritur të lokalizohet dhe arrestohet Luan Lajqi nga Lluka e Deçanit, i cili kërkohej nga dy gjykata të ndryshme për dy vepra të ndryshme penale..

I dyshuari nga Gjykata e Pejës kërkohej për veprën penale – vrasje në tentativë.

Ndërsa, nga Gjykata e Gjakovës kërkohej për veprën penale – vetëgjyqësi.

Në një njoftim, Policia e Kosovës thotë se falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të sigurojë informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe sot rreth orës 15:30 në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit është bërë arrestimi i tij nga njësitet policore të stacionit policor në Deçan.

“Sektori i hetimeve në Deçan kanë arrestuar të dyshuarin e lartcekur  i cili është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale ‘vetëgjyqësi. Ky dënim ju ka shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë me emrin Argjend MOLLIQAJ. I njëjti e ka ndërruar emrin nga Argjend MOLLIQAJ, në Luan LAJQI dhe me ketë emrin e fundit i njëjti po ashtu ka qene i kërkuar me Urdhëresë për sjellje me forcë , të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. I dyshuari i lartcekur është dërguar ne vuajtje dënimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Pejës.

Përveç që ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, Policia thotë se vetëm duke bashkëpunuar do të sigurohet një jetë më e qetë dhe e sigurt për qytetarët dhe vendin .