Debati për shaminë, Buxhovi: Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe politikanët flasin me gjuhën e klerikëve, fillon shembja e shtetit sekular

Prej ditësh, në Kosovë ka nis një debat nëse duhet apo jo bartja e shamisë për vajzat në shkolla.

Sot, për këtë çështje ka shkruar edhe publicisti dhe historiani kosovar, Jusuf Buxhovi.

Buxhovi tha se aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik.

Ky është reagimi i plotë i Buxhovit në Facebook:

SHTETI SEKULAR  DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!

Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik. Në këtë proces retrogard, evolucionet historike që kanë sjell emancipim iluminist,  zëvendësohen nga revolucionet fetare me klerikalizmin politik, që për viktimë të parë ka ndërrimin e identitetit kombëtar dhe qyetetërues në atë fetar, siç po ndodh me krijimin e etnive fetare në Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, me çka krijohen platformat për shtete mbi baza të obskurantizmit fetare.

Ky proces, në saje të pazareve të vazhdueshme të elitave të papërgjegjshme politike në pushtet dhe jashtë pushtetit me klerikë që ndjekin agjendat e tyre për shtete fetare, tashmë ka prekur edhe shtetin e Kosovës dhe karakterin e tij sekular me arsim laik, gjë që rrezikon  jo vetëm qenien e tij, por edhe karakterin kulturor të lidhur me përkatësinë e qyetetërimit evropian, për ç’gjë Perëndimi intervenoi ushtarakisht në vitin 1999 për t’i penguar projektet gjenocidiale të Çubrilloviqit dhe  Millosheviqit të mbështetura mbi hipotekat e “mbetjeve të fanatizmave fetare”!

Për këtë temë dje gjatë ditës është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ai ka deklaruar se bartja e shamisë nuk mund të ndalohet, por ka përmendur një kufizim të moshës.

Në anën tjetër, Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi që të lejohet bartja e shamisë në shkolla.

Rikthimi i nismës për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla

www.kallxo.com