Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dajana Berisha: Nuk mund të ulemi në një panel me dikë që nëpërkëmb humbjen e njerëzve gjatë luftës

Forumi për Iniciativa Qytetare nuk do të marrë pjesë në takimin e Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile.

Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha ekzekutive e FIQ, Dajana Berisha.

Sipas reagimit të FIQ, kjo mospjesëmarrje vjen pasi në këtë takim do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Dajana Berisha, drejtoreshë e FIQ ka deklaruar se nuk mund të marrin pjesë në një panel ku do të jetë edhe Selmanaj, pasi sipas FIQ është e papranueshme të ulen në një tavolinë me dikë që ka ofenduar familjarët e viktimave dhe të të zhdukurve në Kosovë për vet-kënaqësi.

Më tej Berisha ka thënë se arsyes së parë i shtohet edhe vendimin i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese që shpalli Qeverinë Hoti jolegjitime, pasi sipas saj, ky debat do të jetë shterpë dhe nuk do të prodhojë asgjë.

Reagimi i plotë i Berishës:

“Duke falënderuar organizatorët për ftesën për të drejtuar panelin e dytë të takimit të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile ju njoftoj, se pas një analizë të kujdesshme, me plot përgjegjësi njerëzore, civile, profesioniste deklaroj, se kam zgjedhur të mos marr pjesë në takimin e sotëm të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile për arsyet e mëposhtme:

  1. Kurrsesi nuk mund të ulem në të njëjtën tryezë me të ashtuquajturin zv.Kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili, me arrogancë politike, dhe mungesa të theksuar harmonie kognitive, mungesë të vetëdijes kombëtare e qytetare, i cili, për shkak të paaftësisë për te konkurruar me vision, ide zhvillimore e mbrojtje të të drejtave të viktimave dhe të humburve gjate luftës së fundit në Kosovë pretendon popullaritet mbi bazën e deklaratave të papërgjegjshme ndaj kategorisë më ndjeshme të shoqërisë sonë.
  2. Refuzoj të diskutoj përfshirjen e shoqërisë civile në politik-bërje zhvillimore me një individ, si Z. Selmanaj, që pretendon se qëndron mbi çdo viktimë dhe të humbur, fëmijë apo shqiptar i rritur, për shkak të inteligjencës së tij të dëmtuar prej vetë-kënaqësisë.
  3. Ashtu sikurse dhe në të kaluarën FIQ mbetet i përcaktuar, që niveli dhe natyra e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile të jenë parimore dhe të udhëhequr nga nevojat, prioritetet dhe respektimi i kërkesave të qytetarëve mirëpo për fat të keq Z. Selmanaj jo vetëm që nuk i përfaqëson këto vlera, por përkundrazi i ka nëpërkëmbur dhe injoruar ato”