Berisha: Qeveria nuk duhet t’i humbë kapacitetet e shoqërisë civile që kundërshtuan projektet e dëmshme të energjisë

Dajana Berisha, bashkëthemeluese e KOSID, e ftuar në konferencën lokale “Politikat e Energjisë së Ripërtërishme në Kosovë” tha se Qeveria nuk duhet t’i humbë kapacitetet e shoqërisë civile, të cilat kanë kritikuar projektet e dëmshme të energjisë në Kosovë.

Berisha po ashtu tha se moskomunikimi në mes të institucioneve po reflekton si mungesë e sinjalit politik për orientim kah energjia e gjelbër.

“Dekarbonizimi kërkon një konsensus nacional në atë se si dhe ku duhet të shkojë Kosova. Së dyti duhet të ekzistojë sinjali politik. Nëse këto të dyja janë të paqarta se si përfaqësuesit e sektorit privat komunikojnë me investitorin ka me qenë i paqartë sepse nuk e dimë saktësisht se nga po shkojmë. Mos t’i humbim kapacitetet e shoqërisë civile që për vite kanë luftu e kanë kundërshtu procese të energjisë së dëmshme siç ka qenë projekti për termocentralin “Kosova e Re””, ka thënë Berisha.

Dajana Berisha Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“BIRN Kosova”, nё partneritet me “CEE Bankwatch”, “ERA Group” dhe “TV Mrezha”, mbajtën konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё”.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra, drejtoreshё e BIRN Kosova, mbajtur më 28 qershor, ishin të pranishëm edhe Pippa Gallop – këshilltare e Energjisë në Ballkanin Perëndimor nga “CEE Bankwatch”, Jeta Statovci – deputete në Kuvendin e Kosovës dhe zëvëndëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ymer Fejzullahu – udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit për Energji, Besiana Berisha – zyrtare e lartë nga Departamenti i Energjisë, Divizioni për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, Efiçiencës dhe Bashkëprodhimit, Dajana Berisha – bashkëthemeluese e ‘Konzorciumit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë’ (KOSID) dhe, Trim Tërnava – CEO në ‘Jaha Solar Panel’ dhe konsulent i energjisë së ripërtëritshme.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin kryesisht të fokusuara në politikat e energjisë së ripërtërishme në Kosovë dhe zhvillimin e ngadaltë të energjisë së gjelbër. Gjithashtu, panelistët ofruan njohuritë e tyre në ndikimin e sektorit të energjisë në mjedis dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe rekomandime për politikat e ardhshme, të cilat do të ndihmojnë në integrimin e burimeve të ripërtërishme në energjinë e Kosovës. Në fund të diskutimit, në mes të panelistëve, të pranishmit në audiencë paten rastin t’i adresojnë shqetësimet e tyre duke bërë pyetje dhe duke marrë pjesë në diskutim.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, do shtrijnë aktivitetin deri më 7 korrik 2021.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.