Statovci: Në programin e Qeverisë nuk ka diçka specifike për energjinë elektrike

Jeta Statovci, deputete në Kuvendin e Kosovës dhe zëvëndëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë se për vitin 2021 Qeveria e Kosovës nuk ka diçka specifike sa i përket energjisë elektrike.

Statovci tha po ashtu se as çështja e përdorimit të thëngjillit nuk është përcaktuar në programin e Qeverisë.

“Raportet sugjerojnë që energjia duhet të drejtohet nga ajo solare për shkak sepse ka pasur një rënie të madhe të çmimit gjithashtu kanë treguar efikasitet. Nëse e shikojmë Qeveria është e detyruar që të mbulojë shpenzimin e energjisë për grupet e ndjeshme të shoqërisë. Raportetet tregojnë që 40% e familjeve nuk arrijnë ta ngrohin shtëpinë në nivelin e duhur. Plani i Qeverisë për vitin 2021 nuk është se ka diçka specifike në raport me ligjet që i trajtojnë burimet e ripërtëritshme. Materiali që ka ardhur nga Qeveria nuk është që ka ardhur në mënyrë që të ketë një diskutim më serioz. Nëse i referohemi planit të Qeverisë, aty kemi një koncentrim për efiçiencën e energjisë e po ashtu edhe raportet e fizibilitetit të gazit. Për thëngjillin nuk ka diçka të përmendur te sektori i energjisë”, tha Statovci.

Jeta Statovci Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“BIRN Kosova”, nё partneritet me “CEE Bankwatch”, “ERA Group” dhe “TV Mrezha”, mbajtën konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё”.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra, drejtoreshё e BIRN Kosova, mbajtur më 28 qershor, ishin të pranishëm edhe Pippa Gallop – këshilltare e Energjisë në Ballkanin Perëndimor nga “CEE Bankwatch”, Jeta Statovci – deputete në Kuvendin e Kosovës dhe zëvëndëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ymer Fejzullahu – udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit për Energji, Besiana Berisha – zyrtare e lartë nga Departamenti i Energjisë, Divizioni për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, Efiçiencës dhe Bashkëprodhimit, Dajana Berisha – bashkëthemeluese e ‘Konzorciumit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë’ (KOSID) dhe, Trim Tërnava – CEO në ‘Jaha Solar Panel’ dhe konsulent i energjisë së ripërtëritshme.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin kryesisht të fokusuara në politikat e energjisë së ripërtërishme në Kosovë dhe zhvillimin e ngadaltë të energjisë së gjelbër. Gjithashtu, panelistët ofruan njohuritë e tyre në ndikimin e sektorit të energjisë në mjedis dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe rekomandime për politikat e ardhshme, të cilat do të ndihmojnë në integrimin e burimeve të ripërtërishme në energjinë e Kosovës. Në fund të diskutimit, në mes të panelistëve, të pranishmit në audiencë paten rastin t’i adresojnë shqetësimet e tyre duke bërë pyetje dhe duke marrë pjesë në diskutim.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, do shtrijnë aktivitetin deri më 7 korrik 2021.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.