Lajm i Fundit, Coronavirus

COVID-19: Vetizolohen 14 punëtorë mjekësor në Vushtrri

14 punonjës shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Vushtrrisë janë dërguar në vetizolim.

Kjo për shkak se të njëjtit kanë pasur kontakt me pacientin nga fshati Studime e Epërme i cili doli pozitiv me coronavirus mbrëmjen e kaluar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“14 punëtorë të QKMF janë në vetizolim që nga mbrëmë pra kur u konfirmua rasti pozitiv kjo për shkak se kanë pasur kontakt me të”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ai shtoi se gjendja e pacientit me coronavirus është stabile dhe e mirë.

Gjithashtu Kryetari Tahiri tregoi për KALLXO.com se vetëm sot 10 mostra janë marrë pra kontakte të pacientit nga Studimja e Epërme.

Mbrëmjen e kaluar IKSHP njoftoi për 14 raste të reja me coronavirus.

Gjithsej në Kosovë janë regjistruar 884 raste me coronavirus. Nga kjo shifër 655 janë shëruar, janë shënuar 28 viktima ndërsa rastet tjera janë ende aktive.