Dhurata Hoxha (25.07.2023) Foto- Laurant Berisha

Foto: KALLXO.com

Çka përmban ankesa e Prokurorisë Speciale ndaj aktgjykimit lirues për ish-ministren Dhurata Hoxha për rastin e kontratave të lobimit?

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit, i cili ka liruar nga akuzat ish-ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtorin e Prokurimit Publik, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Dhurata Hoxha dhe të tjerët akuzoheshin për rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Sipas ankesës së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe shkelje të ligjit penal.

Sipas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që 70% të provave të propozuara dhe të elaboruara nga prokurori fare nuk i ka analizuar, vlerësuar ose arsyetuar.

“Këto prova sikurse janë elaboruar nga prokurori në faza të ndryshme të procedurës janë prova që drejtpërdrejt e dëshmojnë inkriminimin e të pandehurve dhe pasqyrojnë në veçanti dashjen dhe dijeninë e të pandehurve për të kryer veprimet kriminale” – thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Sipas ankesës, ky veprim njëherit është edhe shkelja kryesore që është bërë nga Gjykata në këtë rast pasi që ndikon drejtpërdrejt në nxjerrjen e aktgjykimit të gabuar, duke mos gjykuar plotësisht substancën e akuzës.

Tutje, sipas ankesës, Gjykata edhe pse i ka pasur të renditura në tri pika veprimet e të pandehurës Dhurata Hoxha: 1). inicimi i procedurës së prokurimit, 2). përcaktimi i llojit të procedurës së prokurimit të negociuar dhe 3). përcaktimi i emrave të kompanive, e ka gjykuar të pandehurën Hoxha vetëm në raport me pikën e parë dhe jo në raport me dy pikat e tjera e në veçanti sipas ankesës nuk gjykohet pika tre, e cila sipas ankesës tregon qartazi dashjen e të pandehurës që t’i mundësojë përfitim dy kompanive që ajo në mënyrë arbitrare i kishte përzgjedhur dhe me të cilat i kishte nënshkruar kontratat.

“Duke mos ndëshkuar veprimet e të pandehurve e në veçanti Dhurata Hoxhës, e cila duke e ditur se nuk ishte kompetencë e saj ndërmarrja e këtyre veprimeve, jo vetëm që lë pa ndëshkuar një veprim të pastër kriminal, por gjithashtu vë në pikëpyetje nevojën e zbatimit të Ligjit të Prokurimit Publik’’ – thuhet në ankesë.

Sipas ankesës, kjo krijon një praktikë të dëmshme që nesër secili ministër në Republikën e Kosovës në mënyrë arbitrare duke anashkaluar procedurat e këtij ligji të tejkalojë kompetencat e tij, të përzgjedhë procedurat e prokurimit që dëshiron t’i aplikojë, t’i përzgjedhë kompanitë të cilat dëshiron t’i shpërblejë me kontrata si dhe t’i nënshkruajë kontratat me to, duke u thirrur kinse në mungesë të dashjes.

Sa i përket vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve të ligjit penal, sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata ka bërë vlerësim selektiv të provave dhe ka vërtetuar gabimisht edhe gjendjen faktike që rrjedhimisht ka sjellë deri në shkelje të ligjit penal dhe një vendim të gabuar.

Sipas ankesës së Prokurorisë, të pandehurit veprimet i kanë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe kjo vërtetohet nga mënyra se si u zgjodhën për t’u shpërblyer me kontratë dy kompanitë për shërbime të lobimit pa i plotësuar kushtet e parapara sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Për shërbim të lobimit, sot në botë ofrojnë me miliona kompani të ndryshme, nuk bëhej fjalë për ndonjë çështje emergjente apo të drejtë autoriale dhe në veçanti duke e ditur se lobimi ishte kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe e Zyrës së Kryeministrit” – thuhet në ankesë.

Sipas ankesës së Prokurorisë, dashjen e drejtpërdrejtë e vërteton edhe përzgjedhja që i është bërë kompanisë nga SHBA-ja “Madison Global”, e cila ishte themeluar dy javë para se të nënshkruhej kontrata, e cila pas përfundimit të mandatit të të pandehurës Dhurata Hoxha me kërkesën e saj shkëputet në mënyrë të njëanshme nga MIE, “sikurse ajo kontratë të kishte qenë personale dhe jo në shërbim të MIE-së” – theksohet në ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Prishtinës, më 28 prill 2023 i kishte liruar nga akuza për rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze, ish-ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtorin e Prokurimit Publik, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Të njëjtit akuzoheshin se kishin keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke i tejkaluar kompetencat të cilat i kishin.

“Gjykata këtë vendim e ka bazuar në provat e proceduara në shqyrtim gjyqësor, dhe me ndërgjegje vlerësoi çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera në bazë të vlerësimit të tillë ka ardhur te përfundimi se në këtë çështje penale nuk janë provuar faktet konkrete të figurës së veprës penale të cilat përbëjnë element kryesor të figurës së veprës penale, e cila u është vënë në barrë të pandehurve”- thuhej në arsyetimin e Gjykatës.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e Prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020 KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

Asokohe, kjo Ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzoheshin se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke u mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomikë përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë nuk e pranuan fajësinë për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.