Qeveria Kurti II

Cili është programi ekonomik i Qeverisë Kurti?

Programi qeverisës 61-faqësh i Qeverisë Kurti e ka prioritet menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe ringjalljen ekonomike.

Në pjesën e ringjalljes ekonomike dhe rritjes ekonomike, Qeveria Kurti ka paraparë krijimin e vendeve të reja të punës, rikthimin në punë të atyre që kanë humbur punën gjatë pandemisë, rritjen e punësimit të grave, rritjen e pagës minimale, punësim të garantuar për të rinjtë, angazhimin për krijimin e Fondit Sovran, themelimin e Bankës Zhvillimore dhe qëllime të tjera.

Qeveria Kurti, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, parasheh që nëpërmjet rritjes së pagës minimale në 250 euro, për 40 orë pune në javë, si dhe ngritjes së pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohen që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në fund të muajit.

Ndërsa mbështetja më e madhe parashihet të jetë për të rinjtë, të cilët hyjnë në tregun e punës për herë të parë.

“Nëpërmjet skemës për punësim të garantuar për të rinjtë, do të paguajmë pagën minimale për 1 vit, për secilin të ri që punësohet për herë të parë”, thuhet në program.

Si pjesë shumë të rëndësishme të planit të tyre për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, Qeveria Kurti e sheh edhe diasporën.

“Nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj, duke filluar nga viti i parë, do të emetohen bono thesari të dedikuara për mërgatën”, vazhdon programi qeverisës.

Për zhvillim ekonomik afatgjatë, deri në fund të vitit 2021, në program parashihet miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike.

Sipas tyre, ky dokument do të mundësojë ndërlidhjen me Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, Marrëveshjen e Gjelbër dhe agjendën e integrimit evropian.

Në program, Qeveria Kurti ka thënë se do të angazhohen për krijimin e Fondit Sovran.

“Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit”, theksohet në plan.

Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.

Ashtu edhe siç është thënë gjatë fushatës zgjedhore, në plan është paraparë edhe shuarja e Agjencisë Kosovare për Privatizim. Kjo është paraparë të bëhet me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë.

Për arritjen e prioriteteve zhvillimore të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, do të krijohet Agjencia Zhvillimore, si një mekanizëm për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

“Për më tepër, Agjencia do të mbështesë sektorin privat dhe publik në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit dhe rritjes së investimeve të jashtme dhe rritjes së eksportit”, parashihet në programin qeverisës 2021-2025.

Qeveria Kurti 2 ka paraparë të themelojë Bankën Zhvillimore të Kosovës.

“Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, thuhet në planin qeverisës.

Në programin e saj, Qeveria ka planifikuar që të rishikojë dhe kompletojë kornizën ligjore për politikat fiskale, të cilat rregullojnë financat publike, ndihmën shtetërore, financat e pushtetit lokal, doganat dhe tatimet.

“Po ashtu, do të kompletojmë kornizën ligjore në sektorin financiar për institucionet mikrofinanciare dhe jobankare, sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, sigurimin e depozitave për institucionet financiare, kambialin, premtim pagesën dhe bankat”, thuhet në planin qeverisës.

Qeveria parasheh që të arrijë të bëjë rimëkëmbje ekonomike përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit ekonomik.

Ata parashohin edhe dizajnimin e skemës për rikthimin në punë të personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.

Qeveria Kurti 2, premton mbështetje për të punësuarit e rinj për periudhën e rimëkëmbjes ekonomike si dhe krijimin e një skemë për punësimin e garantuar për të rinjtë.

“Po ashtu, do të punojmë për ndërlidhjen e tregut të punës dhe arsimit profesional, nëpërmjet krijimit të sistemit informativ për tregun e punës, zgjerimit të shërbimeve të punësimit dhe aftësimit profesional me shërbime të reja, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit me sindikatat”, vazhdon plani

Fokus në programin qeverisës i është dhënë edhe rritjes së punësimit te gratë edhe pse jo me numra.

“Me fokus në të bërit biznes, krijimin e kushteve të favorshme të të bërit biznes dhe thjeshtimin e procedurave për eksport dhe import”, thuhet në programin 61-faqësh.

Një pikë tjetër në programin qeverisës është edhe ridizajnimi i politikave fiskale.

“Për sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, do të ridizajnojmë politikat fiskale”, theksohet në program.

Kjo synohet të arrihet nëpërmjet rishikimit të politikave aktuale fiskale dhe zbatimit të politikave të reja, që përfshijnë analiza të sistemit tatimor, rishikimin e formatit të tatimit për bizneset e vogla dhe të mesme, ndryshimin e formës së deklarimit të tatimit në të ardhura personale dhe vendosjen e obligimit për deklarimin vjetor të tatimit në të ardhura personale.

Pjesë e programit të Qeverisë Kurti 2 është edhe luftimi i ekonomisë joformale.

Për të arritur këtë qëllim, do të rishikohet Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë Kundër Ekonomisë Joformale dhe Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2019-2023.

“Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në mbylljen e shumicës së bizneseve për një periudhe dy-tre mujore. Pasojat e pandemisë ndjehen edhe sot në ekonominë e vendit si humbja e vazhdueshme e vendeve të punës, rënia e aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë, që karakterizohet në masë të madhe me uljen e fuqisë blerësve dhe uljen e qarkullimit dhe uljen e të hyrave buxhetore”, thuhet në program.

Me qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, ata kanë planifikuar të fuqizojmë kapacitetet e inspektorëve tatimorë, aftësitë hetimore dhe të inteligjencës dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe ndalimin e punës së padeklaruar.

Sipas tyre, këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë dhe se programi do të rishikohet në çdo fillim të vitit financiar, nëpërmjet Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.

“Prioritizimi i Programit do të bëhet nëpërmjet Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, duke vlerësuar nevojën për intervenime në fusha prioritare dhe varësisht nga zhvillimet me situatën e pandemisë”, thuhet në programin qeverisës.

Programi i Qeverisë Kurti për vitet 2021 – 2025 është miratuar në mbledhjen e 7 majit.