Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cila është marrëveshja e LDK-së dhe VV-së në Junik?

Kandidati për Junikun, Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ftuar në #DebatPernime ka treguar se më cilën parti ka nënshkruar marrëveshje për të qeverisur komunën e Junikut.

Shehu ka thënë se deri më tash nuk kanë diskutuar për emrat e drejtorëve komunal, ndërsa ka shtuar se me Vetëvendosjen janë marrë vesh për të sjellë ndryshimin.

“Dega e LDK-së në Junik, qe 8 vite kemi bashkëpunuar me degën e VV në Junik. Koalicioni është nënshkruar publikisht. Ne si degë kemi bashkëpunim të mirë dhe nuk na përzihet qendra asnjërës parti. Në parim jemi marrë vesh që të bashkëqeverisim dhe të bëjmë ndryshimin. Nuk kemi pasur marrëveshje e as diskutime për asnjë drejtori. Vetëvendosje do t’i marrë së paku drejtori e katër do të na mbesin neve. Nuk kemi përcaktuar emra drejtorësh ende”, ka thënë Shehu.

Në emisionin #DebatPernime po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Junikut.

Në debat pjesëmarrës është vetëm kandidati Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por i njëjti nuk ka pranuar të jetë pjesë e debatit me arsyetimin se ditët e fundit është përballur me fushatë sulmuese nga portalet përmes shkrimeve të tyre.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i AAK-së ka marrë 45.19 për qind të votave, kurse Ruzhdi Shehu nga LDK-ja, ka siguruar 42.01 për qind të votave.

Debati po transmetohet nga orën 21:40 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.