Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia i thotë Ramës: S'po ju njoh në çka jeni shndërruar nga LDK-ja

Kandidatët për Prishtinën kanë polemizuar në Debat Pernime për ndërtimet në kryeqytet.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, i ka thënë kandidatit Përparim Rama se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka transformuar si person vetëm për dy muaj fushatë për zgjedhjet lokale.

Këtë deklaratë kandidati Vitia e tha kur po debatonin për projektet kapitale në Prishtinë, sallën kocertale e projektin për një lagje në Badovc.

“Nuk po ju njoh në çka jeni shndërruar për këta dy muaj nga LDK. Sinqerisht shpërfytyrim direkt nga ajo çka keni qenë më herët”, ka thënë Vitia.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prishtinës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.