Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia- Ramës: Dardan Sejdiun e keni në ekip, është sekret publik dhe të gjithë e dinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, në debatin për Prishtinën ku po flitet për planet e kandidatëve për ndërmarrjet publike komunale ka thënë se kandidati i LDK-së ka në ekip ish-partiakun e tij, Dardan Sejdiun, që ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Vitia për përfshirjen e Dardan Sejdiut në ekipin e Përparim Ramës ka thënë se është sekret publik dhe të gjithë e dinë.

“Këtë pyetje nuk duhet të ma shtroni mua. Këtë pyetje duhet të ja shtroni zotëri Ahmetit që e keni mik e sidomos zotëri Dardan Sejdiut që e keni në ekipin e juaj. Ky është sekret publik dhe të gjithë e dinë. Pyeteni Dardanin sepse ai ka ‘monitoruar’ më së shumti ndërmarrjet publike”, ka thënë Vitia.

Në anën tjetër kjo është kundërshtuar nga kandidati i LDK-së, Përparim Rama, i cili ka thënë se Dardan Sejdiun nuk e ka në ekip.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prishtinës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.