Çfarë kishte deklaruar Nekibe Kelmendi në vitin 2010, pas shkarkimit nga kryeministri Thaçi?

Në Kuvendin e Kosovës, sot kur po shqyrtohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, u përmend edhe shkarkimi i ish-ministres së Drejtësisë në vitin 2010, Nekibe Kelmendi nga kryeministri në atë kohë, Hashim Thaçi.

Shkarkimin e saj, si ministre e LDK-së në qeverinë të cilës i printe Hashim Thaçi, e përmendi gjatë seancës Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa ndërlidhi shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga kryeministri Albin Kurti.

Por, me këtë nuk u pajtua shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se nuk ishte shkarkim por reformim i qeverisë në atë kohë nga Hashim Thaçi.

“Zonja Nekibe Kelemendi, në atë kohë, nënkryetare e LDK-së, nuk është shkarkuar kurrë nga z. Thaçi. Me reformimin e qeverisë që ka ndodh janë larguar nga qeveria tre ministra, znj. Kelmendi, Alush Gashi dhe ministri Valton Beqiri me kërkesë të LDK-së”, ka thënë Gashi.

 

Por, çfarë kishte deklaruar vetë Nekibe Kelmendi në vitin 2010, kur ishte zëvendësuar në postin e ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Hashim Thaçit?

Në raportimet e gazetave të asaj kohe, vetë Kelmendi nuk ishte pajtuar që të lëshonte postin e ministres, por, siç kishte thënë ajo, është pajtuar me vendimin e kryesisë së LDK-së.

Më 1 prill 2010 gazeta e përditshme “Zëri” kryeartikullin ia kishte kushtuar reformave në qeveri. Madje, “Zëri” kishte cituar Nekibe Kelmendin.

“Si kam me pritë, unë nuk kam lind me karrige të ministrit. E kam fituar me ndjersë, me mund, me pastërti, me kredibilitet, me viktima, me të gjitha…, dorëheqje nuk jap, por vendimin e Kryesisë e pranoj”, kishte deklaruar Nekibe Kelmendi.

“Unë e kam themeluar këtë parti bashkë me presidentin Rugova dhe do të ishte për mua vetëvrasje politike nëse unë do të tërhiqem nga LDK”, kishte thënë ajo.

 

“Zëri”, 1 prill 2010

Edhe gazeta tjetër e përditshme “Kosova sot” kishte cituar ish-ministren e Drejtësisë në qeverinë Thaçi, e cila kishte deklaruar se po e pëson nga të tjerët.

Edhe kjo gazetë artikullin kryesor ia kishte kushtuar reformimit të qeverisë. “lamtumira e 6 ministrave” ishte ballina e gazetës.

“Nuk është radha tash unë të flas para anëtarëve të komisionit, megjithatë më lejoni që juve të ju përshëndes së pari si kryetar i komisionit parlamentar për buxhet dhe të gjithë anëtarët e këtij komisioni. Unë fatkeqësisht, po e pësoj tash, në këtë rast për mungesë të tjetër kujt por më duhet të ju them se ndoshta ky për mua do të jetë takimi i fundit në postin e ministrit e si deputetë do të takohemi në parlament”, kishte thënë ajo.

 

“Kosova sot”, 1 prill 2010

“Epoka e re” kishte cituar ish-kryeministrin Hashim Thaçi, i cili kishte falënderuar LDK-në për bashkëpunimin.

“Në kudër të angazhimeve të mia në ditët e fundit, në përputhshmëri me mandatin tim kushtetues dhe legjitimitetin qytetar kam zhvilluar bisedime intenzive, mjaftë produktive me partnerin koalicionit të cilin dëshiroj ta falënderoj shumë për mirëkuptim, korrektësi dhe përgjegjshmëri në afirmimin e vlerave, kuadrove dhe energjive të reja në kuadër të qeverisjes sonë të përbashkët”, kishte deklaruar ish-kryeministri Thaçi.

Më poshtë janë disa raportime të gazetave ditore më 1 prill të vitit 2010.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).