Çerdhja publike në Fushë Kosovë, me probleme të furnizimit me ushqim

Në çerdhen publike “Gëzimi Ynë” në Komunën e Fushë Kosovës, ka përfunduar kontrata për furnizim me ushqim. Përkundër kësaj fëmijët e këtij kopshti janë duke u ushqyer me shujta të plota dhe se nuk ka rrezik që të mbesin pa ushqim.

Ky shqetësim është përcjellë nga Komuna e Fushë Kosovës e cila është duke e bërë furnizimin me ushqim në këtë kopsht në kushte jo normale deri sa të përfundojnë procedurat tenderuese.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.

Topalli ka thënë se procedurat tenderuese janë përmbyllur dhe pritet që brenda pak ditësh të stabilizohet gjendja.

“Aktualisht në kopshtin ‘Gëzimi Ynë’ për momentin është duke u bërë furnizimi, por jo në kushte normale dhe në sasinë siç ka qenë deri më tash për shkak të procedurave të brendshme administrative” – ka thënë Topalli.

Topalli ka sqaruar se që nga fillimi i këtij viti ka pasur mungesë të furnizimit me ushqime në këtë kopsht, por sipas tij furnizimin e mallit e ka bërë komuna me “mekanizmat e brendshëm”.

“I kemi mekanizmat tanë të brendshëm të komunës, jemi mundu që mos ta lëmë pa furnizim” – u shpreh ai.

“Ne i kemi mundësitë tona buxhetore kemi bërë një marrëveshje për furnizim deri sa të bëhet kjo zgjidhje por nuk është e përhershme kjo procedurë do të përfundoj shumë shpejtë. Janë procedura të brendshme të komunës që mundohemi ta furnizojmë çdo ditë kopshtin deri sa të vjen te zgjidhja përfundimtare” – tha Topalli.

Sipas tij, fëmijët janë duke u ushqyer me shujta të plota dhe se nuk ka rrezik që fëmijët të mbesin pa ushqim. Sipas tij kjo është vetëm pengesë administrative.

“Deri tash nuk kemi pas as ankesa, as tërheqje të fëmijëve nga kopshti shkaku i mungesës së ushqimit sepse ka pas, gjithçka është zhvillu normalisht” – u shpreh ai.

Sipas Topallit, kompania fituese e këtij tenderi do ta furnizojë kopshtin me ushqim në periudhe 3 vjeçare.