gabriel escobar
Escobar: Nuk kam dhënë afat në Prishtinë, pyeta se cilët ishin hapat tutje
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një konferencë për media në Beograd, është pyetur për një afat që është raportuar se i është dhënë kryeministrit Albin Kurti, që të pajtohem me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
Escobar ka deklaruar se nuk ka dhënë ndonjë afat, por ajo se çka ka pyetur në Prishtinë ka qenë për hapat e mëtutjeshëm.
“Nuk dhashë një afat, çka pyeta në Prishtinë ishte se çka ishin hapat tutje. Unë dhe Lajçak thamë se ne duhet të premten të tregoj në Shtëpinë e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse kemi progres ose jo. Atij i kërkohet nga Borrell që të jap raportin e njëjtë, nuk është një afat por janë hapat e ardhshëm për mua. Bazuar në këtë raport, ne duhet të marrim disa vendime për të vazhduar përpara. Nuk është afat për askënd”- theksoi Escobar.
Emisari gjithashtu ka folur në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave serbe për të cilin ai tha se nëse Kosova do të ecë përpara në rrugën drejt integrimit duhet të themelojë atë.
“Po them vetëm një fakt, Asociacioni është një detyrim legal për Qeverinë e Kosovës, është në marrëveshjen e Brukselit, është në konkluzat e Këshillit Evropian, është në marrëveshjen e Ohrit dhe nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por është marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Në një pikë nëse Kosova do të ecë përpara në rrugën drejt integrimit duhet të themelojë asociacionit, do të ndodhë. Pyetja është nëse do të bëhet me këtë Qeveri apo një tjetër të ardhshme?”- është shprehur Escobar.
“Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe i përcakton një sërë kushtesh që do të krijonte një marrëdhënie stabile dhe paqësore mes dy shteteve dhe nxjerr përgjegjësitë që secila ka”- shtoi ai.
Escboar me tej ka thënë se sfida më e madhe për Serbinë është që të bindin serbët që të kthehen në institucione.
“Mendoj që sfida më e madhe për Serbinë është që të bindin serbët që të kthehen në institucione, aty mendoj është pjesa ku rreshtohemi me Serbinë. Duhet të sigurohemi që ata që marrin pjesë në zgjedhje serbët që kthehen në institucione të jenë të mirëseardhur”- është shprehur ai.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.
Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.
Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.
Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.