Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

Çeku: "Europa Nostra" do të vizitojë Manastirin e Deçanit për të përpiluar raport të ri

Organizata “Europa Nostra” ,e cila e ka futur Manastirin e Deçanit në listën e ngushtë të 7 monumenteve të rrezikuara, do të vizitojë monumentin për të përpiluar një raport të ri.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Së shpejti do të kemi edhe një takim me ‘Europa Nostrën’. është fat i mirë që para disa ditësh e kemi pranuar një letër nga kjo organizatë . Ata kërkojnë që të vijnë në Kosovë, ta bëjnë një vizitë dhe një raport të ri”, tha Çeku.

Sipas tij, me këtë vizitë që do bëjnë ata e kanë pranuar që Manastirin e Deçanit e kanë përfshirë në këtë listë pa e vizituar, pa u takuar me njerëzit dhe pa e vlerësuar gjendjen në formë reale.

“Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta të Evropës, se është në gjendje të mirë fizike dhe është në mbrojtje edhe nga KFOR-i edhe nga Policia. Aty ka 15 vite që as incidente nuk ka”, tha ai.

Megjithatë, ministri tha se për këtë paradokës dhe këtë dëmtim të imazhit të Kosovës, ata kanë kërkuar edhe dëmshpërblim për dëmtim të reputacionit.

“Ne i kemi ftuar të vijnë dhe i kemi kërkuar dëmshpërblim se na e kanë dëmtuar reputacionin e shetit padrejtësisht dhe kemi këkruar që në afatin më të shpejtë, pas konstatimit të tyre ta largojnë Manastirin nga ajo listë. Nëse e largojnë nga lista është kompensim i mjaftueshëm për atë që na kanë shkaktuar”, tha ai.

“Europa Nostra” në fund të vitit të kaluar ka shpallur listën për 12 vendet e trashëgimisë evropiane të përzgjedhura për programin “7 më të rrezikuarat 2021” , pjesë së cilit program është edhe Manastiri i Deçanit.

“Europa Nostra” përveç përshkrimit që i bën Manastirit dhe ambientit që e rrethon, si dhe faktit se që nga paslufta ruhet nga KFOR-i gjatë 24 orëve në ditë, potenconte se Manastiri i Deçanit nuk i ka shpëtuar sulmeve të ekstremistëve lokal, duke e lidhur edhe me ISIS-in.