Burgjet lehtësojnë masat nga e hëna

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se nga 18 maji do të fillojë me lehtësimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19 nëpër institucionet korrektuese.

Sipas këtij njoftimi, nga kjo datë do të fillohet lejimi i vizitave të organizatave joqeveritare, të cilat monitorojnë institucionet korrektuese.

“Gjatë vizitës së tyre, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare janë të obliguar të mbajnë distancën sociale dhe të kenë të vendosura maska dhe dorëza mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se Shërbimi Korrektues lehtësimin e masave e ka filluar në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, ndërsa do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet relevante në Kosovë, rreth hapave në vazhdim.