Britania e Madhe, SHBA dhe BE kërkojnë heqjen e bllokadave në rrugët në veri të Kosovës

Ambasada britanike në Prishtinë ka publikuar deklaratën e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Beograd për tensionet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës.

“Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës pas ndalimit të një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj autoriteteve kosovare. Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”- thuhet në këtë deklaratë.

Përmes kësaj deklarate këto ambasada kanë thënë se presin që të gjitha pengesat ilegale të çmontohen dhe t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit.

“Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.

Po ashtu, u është bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një deeskalim të situatës.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një deeskalim të situatës”- është thënë në deklaratë.

Tutje është potencuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara.

Prej ditësh, në veri të vendit është tensionuar situata. Së fundmi, disa barrikada janë vendosur në rrugët që çojnë në pikë-kalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë.

Dje pasdite grupe serbësh kanë bllokuar rrugët kryesore të zonës.

Bllokimi i rrugëve ka ndodhur pas njoftimit të Policisë së Kosovës se ka arrestuar Dejan Pantiqin, i dyshuar për organizim të veprave terroriste.

Dje Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar arsyet e arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit, Pantiq “sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor”.

“Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues” – ka shtuar ministri.

Ndërka, një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës.

Në një njoftim për media, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë dënoi sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale” – thuhet në njoftim.

Për këto raste ka pasur reagime nga krerë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë.