Britania e Madhe do ta shtojë grupin mercenar rus ‘Wagner’ në listën e terrorizmit

Qeveria britanike do ta shtojë grupin mercenar rus ‘Wagner’ në listën e saj të organizatave terroriste.

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, pritet ta prezantojë këtë masë në Parlament të mërkurën, sipas mediave britanike.

“Wagner është një organizatë e dhunshme dhe shkatërruese që ka vepruar si një mjet ushtarak jashtë vendit për Rusinë e Vladimir Putinit” – citon Daily Mail të ketë thënë Braverman.

“Ndërkohë që regjimi i Putinit vendos se çfarë të bëjë me përbindëshin që ka krijuar, aktivitetet e vazhdueshme destabilizuese të Vagnerit vazhdojnë vetëm t’i shërbejnë qëllimeve politike të Kremlinit” – shtoi ajo.

Sekretarja e Brendshme britanike e ka fuqinë për ta “ndaluar” një organizatë që ajo e konsideron të përfshirë në akte terrorizmi. Ky “ndalim”, i cili tashmë zbatohet veçanërisht për grupin e Shtetit Islamik dhe organizatën xhihadiste Al-Kaeda, e bën vepër penale mbështetjen e organizatës.

“Wagner ka qenë i përfshirë në plaçkitje barbare, tortura dhe vrasje” – ka deklaruar  Braverman për Daily Mail.

“Kjo është arsyeja pse ne po e bëjmë të jashtëligjshme këtë organizatë terroriste dhe po vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur në luftën e saj kundër Rusisë” – shtoi ajo, duke vënë në dukje se ëagner është gjithashtu “një kërcënim për sigurinë globale”.

Në korrik, Londra zyrtare kishte njoftuar tashmë sanksione kundër 13 individëve dhe organizatave të lidhura me Wagner në Afrikë, duke i akuzuar ata për krime lufte./Euronews