Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / facebook

SHBA i dërgon Ukrainës bomba thërrmuese

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do t’i dërgojnë Ukrainës një pako me bomba thërrmuese ( që njihen si bomba kasetë) si ndihmë në kundërofensivë kundër Rusisë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se “e vonoi vendimin për aq kohë sa mundi” për shkak të rrezikut të lëndimeve civile nga mjetet e pashpërthyera vrasëse.

Ukraina ka muaj që kërkon armë për shkak të mungesës së granatave.

Bombat thërrmuese janë të ndaluara në më shumë se 100 vende.

Ata zakonisht lëshojnë një numër të madh bombash më të vogla që mund të jenë vdekjeprurëse në një zonë të gjerë. Megjithatë, ato që nuk shpërthejnë mbeten një rrezik edhe për dekada pas përfundimit të konfliktit.

Jake Sullivan, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Joe Biden, u tha gazetarëve se Rusia ka përdorur municione thërrmuese kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit dhe se përdorimi i raketave të artilerisë nga ana e Ukrainës është aq i shpeshtë sa aleatët e kanë të vështirë të mbajnë prodhimin.

Si ukrainasit ashtu edhe rusët kanë përdorur bomba thërrmuese që kur forcat e Moskës nisën pushtimin në shkurt të vitit 2022. Kohët e fundit, forcat ukrainase, në fushën e betejës, filluan të përdorin municione thërrmuese, të furnizuara nga Turqia, shkruan Reuters.

Municionet thërrmuese janë përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore dhe në më shumë se tridhjetë konflikte që atëherë, sipas Koalicionit të municioneve thërrmuese.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur për herë të fundit armë thërmuese në Irak, nga viti 2003 deri në vitin 2006, thotë kjo organizatë.

Forcat amerikane filluan t’i largojnë ato gradualisht në vitin 2016, për shkak të rrezikut që paraqesin për civilët, thuhet në një deklarate të vitit 2017 nga Komanda Qendrore e SHBA-së./REL