Rusia humb kontrollin e plotë në rajonet e aneksuara ditë më parë

Rusia nuk ka më kontroll të plotë të asnjë prej katër provincave të Ukrainës, të cilat thotë se i aneksoi javën e kaluar pasi trupat ukrainase thuhet se përparuan dhjetëra kilometra në provincën Kherson. Ushtria ruse ka pranuar se forcat e Kievit kanë depërtuar në rajonin e Khersonit. Sipas ushtrisë ruse ushtria ukrainase dhe “njësitë e saj superiore të tankeve” kanë arritur të “depërtojnë në thellësitë e mbrojtjes sonë” rreth fshatrave Zoltaya Balka dhe Alexsandrovka.

Më herët të hënën, zëdhënësi i Vladimir Putin deklaroi se Kremlini është ende duke e përcaktuar se cilat zona të Ukrainës së pushtuar i ka “aneksuar”. Putini është zotuar t’i mbrojë territoret e pretenduara rishtazi të Rusisë duke i përdorur “të gjitha mjetet që ka në dispozicion”, duke dhënë indikacion edhe për një sulm të mundshëm bërthamor. Mungesa e një vije të qartë të kuqe mund t’i dëmtojë përpjekjet e tij për ta përdorur parandalimin bërthamor për ta ndalur kundërsulmimin e suksesshëm të Ukrainës dhe mbështetjen perëndimore për Kievin.

Kremlini zyrtar ka deklaruar se Rusia favorizon një “qasje të balancuar” ndaj çështjes së armëve bërthamore që nuk bazohet në emocione. Vërejtjet e zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov vijnë pasi Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i rajonit të Çeçenisë, i emëruar nga Kremlini, tha se Moska duhet ta konsiderojë përdorimin e një arme bërthamore “me rendiment të ulët” në Ukrainë.

Ukraina i ka “pastruar plotësisht” forcat ruse nga qyteti kyç lindor i Lyman, konfirmoi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, një ditë pasi Moska pranoi se trupat e saj ishin tërhequr pasi ishin rrethuar.

Brigadat ukrainase duket se kanë arritur përparimin e tyre më të madh në rajon që nga fillimi i luftës, duke shpërthyer në vijën e frontit dhe duke përparuar me shpejtësi përgjatë lumit Dnieper. Rikapja e qytetit Lyman nga trupat ukrainase është humbja më e madhe e Rusisë në fushëbetejë që nga kundërofensiva e rrufeshme e Ukrainës në rajonin verilindor të Kharkiv në shtator.

Presidenti Zelenskiy ka deklaruar se Ukraina nuk po përjeton vetëm sukses ushtarak në Lyman, por edhe në Kherson. Në deklaratën e tij gjatë natës, ai tha se forcat ukrainase i kanë çliruar vendbanimet e vogla Arkhanhelske dhe Myrolyubivka në rajonin Kherson. Vladimir Saldo, udhëheqësi i autoritetit të imponuar nga Rusia në rajon, pranoi se ukrainasit kanë fituar terren.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, ka thënë se trupat ruse e kanë pushtuar atë që ai e quajti një “vijë mbrojtëse të përgatitur paraprakisht”. Komentet e tij janë një pranim se kundërofensiva jugore e Ukrainës po fiton në mënyrë dramatike ritmin, dy muaj pasi filloi.

Ushtria e Ukrainës ka thënë se forcat e saj e kanë rimarrë fshatin Torske pranë qytetit Lyman në rajonin e Donetsk të dielën. Forcat ruse që janë detyruar të tërhiqen drejt qytetit të Kreminës të Luhanskut, po goditen “me zjarr” nga njësitë e raketave, artilerisë dhe forcave ajrore ukrainase, sipas Serhii Cherevatyi, një zëdhënës i grupit lindor të forcave të armatosura të Ukrainës.

Elon Musk ka nxitur një grindje në internet me Zelanskyn pasi ai u kërkoi përdoruesve të Tëitter të peshonin mbi idetë e tij për t’i dhënë fund luftës së Rusisë. Në një postim në Tëitter, Musk sugjeroi zgjedhjet e mbikëqyrura nga OKB-ja në katër rajone të pushtuara që Moska i ka aneksuar në mënyrë të rreme pas atyre që i quajti referendume. Zelenskiy u përgjigj me sondazhin e tij. “Cili @elonmusk ju pëlqen më shumë?”, shkroi ai, duke ofruar dy përgjigje: një që mbështet Ukrainën ose një që mbështet Rusinë.

SHBA do t’i dorëzojë katër sisteme të tjera raketash të avancuara në Ukrainë. Sistemet e raketave të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë, të njohura si HIMARS, do të jenë pjesë e një pakete të re ndihme prej 625 milionë dollarësh që do të shpallet të martën, sipas zyrtarëve amerikanë.

Koreja e Veriut shprehu mbështetjen të martën për aneksimin nga Rusia të rajoneve të Ukrainës dhe akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj se sillen si një gangster duke udhëhequr një lëvizje në OKB kundër sjelljes së Moskës.

Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, i ka miratuar ligjet për aneksimin e katër territoreve të Ukrainës në Rusi. Asnjë ligjvënës në dhomën e ulët nuk votoi kundër projektligjit për t’i inkorporuar rajonet Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk në Rusi. Ligjvënësit në dhomën e lartë, këshilli i federatës së Rusisë, pritet ta zyrtarizojnë aneksimin e paligjshëm të martën.

Udhëheqësi i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia në Ukrainë është liruar, sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi. Ihor Murashov u arrestua të premten nga një patrullë ruse teksa po udhëtonte nga uzina e Zaporizhzhia për në qytetin Enerhodar, sipas kompanisë shtetërore përgjegjëse për fabrikën.

Rusia e ka vendosur Marina Ovsyannikovan, ish-redaktoren e televizionit shtetëror, e cila ndërpreu një transmetim lajmesh për të protestuar kundër luftës në Ukrainë, në listën e të kërkuarve pasi ajo thuhet se i ka shpëtuar arrestit shtëpiak. Ovsyannikova, 44 vjeçare, me origjinë ukrainase, fitoi vëmendjen ndërkombëtare në mars pasi shpërtheu në një studio të Channel One, punëdhënësi i saj i atëhershëm, për ta denoncuar luftën në Ukrainë gjatë një buletini të drejtpërdrejtë lajmesh./The Guardian