Foto: N1info.rs

Policia serbe: Plani i skicuar nga 14-vjeçari - si diçka nga një film horror

Me armën që mori nga banesa e babait të tij, 14-vjeçari dyshohet se vrau nëntë persona e i la të lënduar shtatë të tjerë, raporton BBC.

Ngjarja ndodhi në një shkollë në qendër të Beogradit, përderisa deklarata e Policisë së Serbisë tregojnë se i gjithë sulmi ishte përgatitur një muaj më parë.

Një zëdhënës i policisë serbe deklaroi se i dyshuari kishte hartuar një plan të hyrjes dhe daljes nga shkolla.

Kjo skicë tregohet se u gjet në tavolinën e tij, e në këtë plan zëdhënësi tha se ishin caktuar edhe objektivat prioritare të të dyshuarit.

“Skica duket si diçka nga një video-lojë ose film horror” – ka deklaruar zëdhënësi.

Deklaratat e zyrtarëve policor gjithashtu tregojnë se i mituri kishte përgatitur një listë të fëmijëve që do t’i sulmonte, e po ashtu ai e kishte planifikuar në detaje se në cilat klasa do të shkonte së pari.

Raportimet zyrtare gjithashtu tregojnë se i mituri, gjatë rrugës për në shkollë, la çantën e tij ku përgatiti katër kokteje molotovi.

Me të hyrë në shkollë ai nxori armën dhe qëlloi në drejtim të rojës së sigurisë, për të vazhduar më pas me të gjuajtura në drejtim të nxënësve.

Në një konferencë për media, ministri i Arsimit në Serbi, Branko Ruzhiq, u pyet nëse kishte dëgjuar se i dyshuari ishte “viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve”.

Ruzhiq e konfirmoni këtë, duke thënë se ishim marr edhe veprimet e nevojshme pas raportimeve për dhunë nga bashkëmoshatarët ndaj djalit.

Ai shtoi se ka pranuar raportime nga punonjësit socialë dhe spitali se ka pasur “dhunë të ushtruar, gjë që nuk ka ndodhur në shkollë” dhe rasti është mbyllur pa probleme të mëtejshme.

Në anën tjetër, në konferencë zëdhënësi i Policisë së Serbisë ka deklaruar se sipas mësuesve, i dyshuari ka qenë një nxënës i shkëlqyer që nuk ka pasur asnjëherë probleme mendore apo emocionale.

Rasti raportohet se ka ndodhur në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, e se në vendngjarje ndodhen me dhjetëra autoambulanca dhe ekipe të shumta të policisë.

Pranë shkollës mediat serbe kanë raportuar se gjendet edhe një numër i madh i prindërve të mbledhur, të cilët për momentin po e kanë të pamundur të arrijnë tek fëmijët e tyre.

Raportimet tregojnë se zona për rreth shkollës ku ndodhën të shtënat është e bllokuar, e po ashtu është bllokuar edhe hyrja për në rrugën “Kralja Milutin”, ku ndodhet shkolla.

Në anën tjetër, të gjitha shkollat në Serbi janë mbyllur për sot, ndërsa nesër dita në Serbi do të fillohet me një minutë heshtje në nderë të viktimave.

Ministri i Arsimit në Serbi gjithashtu njoftoi se Qeveria ka shpallur tri ditë zie në të gjithë vendin, duke filluar nga e premtja, 5 maj deri më 7 maj.

Detaje të reja nga vrasjet në Serbi, 14-vjeçari kishte planifikuar sulmin një muaj më parë