Foto: REL

Aksident ajror në Mesdhe, vdesin pesë ushtarë amerikanë

Pesë pjesëtarë të ushtrisë amerikane humbën jetën kur një helikopter ushtarak u rrëzua në pjesën lindore të Detit Mesdhe gjatë një misioni stërvitor, thanë zyrtarët amerikanë të dielën.

Komanda amerikane tha se të pesë anëtarët e ekuipazhit vdiqën kur helikopteri i tyre u rrëzua “gjatë një misioni rutinë të furnizimit me karburant në fluturim, si pjesë e trajnimit ushtarak”.

Ushtria e bëri njoftimin e parë rreth aksidentit të shtunën duke thënë se shkaku po hetohej dhe se nuk ka të dhëna për ndonjë veprim nga palët kundërshtare. Komanda njoftoi të dielën se “përpjekjet e kërkim-shpëtimit filluan menjëherë, duke angazhuar anije dhe aeroplanë ushtarakë që ndodheshin aty pranë.

Përmes një deklarate Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, shprehu ngushëllimet “për humbjen tragjike të pesë ushtarakëve amerikanë gjatë një aksidenti stërvitor në Detin Mesdhe të shtunën herët në mëngjes”.

Forcat Ajrore amerikane kanë dërguar skuadrilje shtesë në rajon dhe aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford”, e cila ka një sërë avionësh në bord, ka operuar gjithashtu në Mesdheun lindor./VOA