Suzana Dzudzeviç dhe familja e saj në Mitrovicë, Kosovë, pas luftës, në vitin 2000. Foto kortezi e Suzana Dzudzeviç.

Boshnjakët e Kosovës luftojnë për mbijetesë midis shqiptarëve dhe serbëve

Ata janë myslimanë, si shumica e shqiptarëve të Kosovës, dhe flasin një gjuhë të ngjashme me serbët, por boshnjakët e Kosovës janë përballur me diskriminim, dhunë dhe varfëri teksa përpiqeshin t’i mbijetonin viteve të trazuara të luftës dhe tani ato të pasluftës.

 

“Ishin katër të pafajshëm që dergjeshin të pajetë.”

Kështu i përshkroi Emilia Redzepi, një ish-ministre dhe deputete e Kosovës që drejton një parti politike boshnjake, Partia e Re Demokratike, pasojat e vrasjes së familjes Skënderi natën e 10 janarit 2000.

Çifti Sezair Skënderi, 50 vjeç, dhe Anifa Skënderi, 48 vjeç, vajza e tyre 20 vjeçare Adrijana dhe gjyshja e saj 70 vjeçare Dulja ishin një familje boshnjake e Kosovës që jetonte në lagjen Tusus, në komunën e Prizrenit. Të gjithë u vranë.

Askush nuk u ndoq penalisht për vrasjet e tyre. Fqinjët e tyre u shprehën se ata nuk panë dhe as nuk dëgjuan asgjë, por Redzepi nuk beson se kjo është e vërtetë.

Tusus është një lagje shumë e vogël dhe sipas Redzepit, pasi familja Skënderi u masakrua, shumica e banorëve të saj për muaj me radhë kishin frikë të dilnin nga shtëpitë e tyre.

“Rreth 100 miq të rinj të bukuroshes Adrijana Skënderi vajtuan në varrimin e saj”, tha Dzezair Murati, një ish-deputet nga Prizreni, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit të familjes Skënderi.

“Ata nuk meritonin të vdisnin”, tha Murati, duke u përpjekur të mbante lotët.

Në qershor 1999, NATO i dha fund bombardimit të saj të Jugosllavisë dhe Sllobodan Millosheviçi i tërhoqi trupat serbe nga Kosova, duke i dhënë fund luftës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara UNMIK atëherë mori nën kontroll situatën në Kosovë, por ndërkohë që ndërtimi i institucioneve dhe ruajtja e paqes midis dy grupeve kryesore në konflikt, shqiptarët dhe serbët etnikë, u bë një përparësi, komunitetet e tjera si boshnjakët u bënë shënjestra të dhunës në Kosovë.

Nga korriku 1999 deri në 2002, rreth 80 boshnjakë u zhdukën, u vranë ose u plagosën. Sipas boshnjakëve që folën për BIRN, ata u sulmuan nga “huliganë” shqiptarë etnikë që hiqeshin si luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i lidhnin ata me serbët për shkak se flasin një gjuhë shumë të ngjashme.

Askush nuk u dënua për këto sulme. Por Redzepi shpreson që Dhomat e Specializuara të Kosovës, e ashtuquajtura Gjykatë Speciale në Hagë që do të gjykojë ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe pas lufte, mund të trajtojë çështjen e familjes Skënderi.

“Kam kërkuar që vrasja e familjes Skënderi të përmendet në Gjykatën Speciale”, tha ajo.

Tani në Kosovë jetojnë rreth 27,000 boshnjakë. Ata thonë se janë të lumtur që jetojnë atje, edhe pse kanë probleme serioze me varfërinë, papunësinë dhe diskriminimin nga shqiptarët dhe serbët etnikë në vend.

Megjithatë, ajo që ata duan është një pjesëmarrje domethënëse në sistemin politik të vendit për të siguruar që interesat e tyre të përfaqësohen siç duhet.

Nacionalizmi “më i rëndësishëm sesa të drejtat e barabarta”

Alen Azari, drejtori i një shkolle boshnjake në fshatin Planjane në Luginën e Zhupës afër Prizrenit, tha për BIRN se gjatë luftës, boshnjakëve iu kërkua të mobilizoheshin dhe të luftonin së bashku me serbët.

Ata u përballën me një zgjedhje të tmerrshme, tha Azari: “Si mund të luftonim kundër shqiptarëve me të cilët jetonim çdo ditë dhe si të mos luftonim përkrah serbëve kur ata ishin kaq të fuqishëm?”

Pas luftës, boshnjakët jetuan në varfëri dhe duke iu druajtur sulmeve, duke u përpjekur të integrohen duke mësuar shqip ose duke u mbyllur në botën e tyre dhe duke qëndruar në shtëpitë e tyre.

Por Redzepi pretendoi se “situata për ne boshnjakët para dhe pas luftës nuk ndryshon shumë” – vetëm komuniteti etnik në pushtet kishte ndryshuar.

Para luftës ishte e rëndësishme të ishe me “prejardhje etnike serbe” dhe pas luftës ishte e rëndësishme të ishe me “prejardhje etnike shqiptare”, shtoi ajo.

“Serbët nuk na respektonin për shkak të fesë dhe ngjashmërisë së traditave tona me ato të shqiptarëve. Shqiptarët nuk na respektonin për shkak të ngjashmërisë së gjuhës sonë me serbishten”, tha ajo.

Si për serbët ashtu edhe për shqiptarët, nacionalizmi është shumë i rëndësishëm, argumentoi ajo, por arsimi dhe të drejtat e barabarta janë më pak të rëndësishme.

Ajo shpjegoi se e vetmja mënyrë se si komuniteti boshnjak arriti të shmangte asimilimin ishte “fleksibiliteti” dhe “ruajtja e traditave dhe zakoneve tona”.

Shahide Azari, gruaja e Alenit, kujton se pas luftës, ajo dhe miqtë e saj u diskriminuan vazhdimisht për shkak se flisnin gjuhën boshnjake në shkollën e tyre ku flitej shqip.

“U desh pak kohë që profesorët të bindnin nxënësit e tjerë që ne nuk ishim serbë”, tha ajo.

Murati tha se boshnjakët e Kosovës thjesht duan të jetojnë në paqe.

“Ne jemi ‘vëllezër’ nga gjuha me serbët dhe ‘vëllezër’ nga feja me shqiptarët”, tha ai me një buzëqeshje të lehtë ironike.

“Ne jemi gjithmonë në mes, edhe pse nuk duam të lëndojmë apo t’i bëjmë keq njërit grup etnik apo tjetrit.”

“Lufta mbaroi, por për ne ajo sapo filloi”

Situata ishte e ngjashme në të gjithë vendin për boshnjakët e Kosovës pas përfundimit të konfliktit në 1999.

“Lufta e Kosovës mbaroi, por për ne ajo sapo filloi”, kujton Suzana Dzudzeviç, një boshnjake nga qyteti i Mitrovicës në Kosovë, e cila u arratis në Sarajevë si refugjate gjatë konfliktit, por më pas u rikthye.

Boshnjakët në Mitrovicë jetojnë në një lagje që ndodhet midis Mitrovicës së Jugut të banuar nga shqiptarët dhe Mitrovicës së Veriut të banuar nga serbët.

Dzudzeviç tregoi shtëpitë përreth shtëpisë së saj, të cilat banohen kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe ato më në veri janë në pronësi të serbëve.

“Për shumë vjet ne qëndruam kryesisht qëndruam brenda sepse nuk mund të shkonim në veri për shkak të fesë sonë dhe ishte e vështirë të shkonim në jug për shkak të gjuhës tonë”, tha Dzudzeviç.

“Më thuaj, si mund të pranohet një djalë i quajtur Omer (djali i saj i madh) në një klasë serbe?” pyeti ajo.

Duke qenë se ajo kishte studiuar në shkolla shqiptare dhe “ne po jetojmë në një vend me shumicë shqiptare”, ajo vendosi ta çonte djalin e saj në një kopsht ku flitej shqip kur ai ishte rreth pesë vjeç, menjëherë pas luftës.

“Gjithashtu ishte edhe më afër”, shpjegoi ajo. “Ishte e rrezikshme ta çoja atë në veriun me shumicë serbe.”

Megjithatë, ajo ndërroi mendje për kopshtin pasi djali i saj nuk u përfshi në programin e tij të aktiviteteve për Ditën e Flamurit, përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 e cila përkujtohet si një festë kombëtare në Kosovë.

Omeri ishte i vetmi boshnjak në një kopsht me rreth 30 deri në 40 fëmijë dhe ai ishte i vetmi që nuk u përfshi në festime.

“Mami, pse nuk je veshur për aktivitetin?” Dzudzeviç kujton ta ketë pyetur djali i saj kur ajo shkoi ta merrte. “Të gjithë prindërit e tjerë janë veshur!”

Ajo nuk ishte ftuar. Gjatë rrugës për në shtëpi, Omeri pesë vjeçar gjithashtu e pyeti: “Pse nuk më caktuan edhe mua ndonjë vjershë? Mund të mësoj ta recitoj një vjershë, apo jo?”

Me një prejardhje shqiptare, turke dhe boshnjake, Dzudzeviç tha se ajo ndihet pjesë e secilit komunitet etnik, kështu që situata e lëndoi shumë. Ajo vendosi që djemtë e saj të vazhdonin shkollimin në një shkollë boshnjake, pavarësisht kushteve të këqija atje, me mungesë librash dhe mësuesish.

“Tani që djemtë e mi janë rritur, unë kuptoj më shumë. Nëse do t’u kishte ndodhur ndonjë gjë, edhe unë nuk do të isha në gjendje të dëgjoja gjuhën serbe apo gjuhë të ngjashme me të. Megjithatë, në atë kohë ishte shumë e vështirë”, tha ajo.

Papunësi e lartë, arsim i dobët

Boshnjakët e Kosovës, të cilët merren kryesisht me bujqësi dhe ndërtim, shpesh duhet të emigrojnë për të gjetur punë për shkak të nivelit të lartë të papunësisë në Kosovë. Shahide Azari tha se gratë boshnjake në luginën e Zhupës janë kryesisht të papuna sepse nuk flasin shqip.

Një problem tjetër i madh social janë standardet e dobëta të arsimit. Alen Azari tha se në shkollën që ai drejton në luginën e Zhupës, bëhen vetëm dy orë mësimi gjuhë shqipe në javë dhe ato janë të një cilësie shumë të ulët.

Një total prej 4,500 boshnjakësh studiojnë në gjuhën boshnjake, por shkollat e tyre përballen me mungesë mësuesish dhe tekstesh shkollore. Suzana Dzudzeviç nga Mitrovica tha se në shkollën e djalit të saj ishte vetëm një mësuese që jepte mësim pjesën më të madhe të lëndëve.

Edhe mungesa e profesorëve që mund të flasin gjuhën boshnjake shkakton gjithashtu vështirësi, që nënkupton se nxënësit duhet të studiojnë në shqip, serbisht, anglisht ose të shkojnë jashtë vendit.

Boshnjakët “nuk kanë një përkrahës të fortë të huaj”

Komuniteti boshnjak në Kosovë është përpjekur të ruajë kulturën dhe traditat e tij në mënyrë që të mos humbasë ndjenjën e tij të identitetit. Por, mes dinamikës së konfliktit shqiptaro-serb të Kosovës, boshnjakët ndiejnë se për ta nuk ka një vend që ata mund ta konsiderojnë si vendin e tyre.

Kushtetuta e Kosovës e përshkruan vendin si një “shoqëri multi-etnike e përbërë nga shqiptarë dhe komunitete të tjera” të cilët kanë të drejtë “të shprehen lirshëm, të ushqejnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre dhe atributet e komunitetit”.

Në parlamentin e Kosovës, dhjetë nga 120 vendet janë caktuar për serbët, katër për përfaqësuesit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, tre për boshnjakët, dy për turqit dhe një për goranët, një komunitet i vogël mysliman sllav. Pjesa tjetër mbahet nga shqiptarët etnikë.

Secili prej komuniteteve etnike të vendit gjithashtu ka të drejtë të drejtojë një komunë, nëse ata janë shumicë atje. Aktualisht Kosova ka komuna të drejtuara nga shqiptarë, serbë dhe turq.

Komuniteti boshnjak ka kërkuar që të drejtojë komunën e tij në luginën e Zhupës me shumicë boshnjake. Komunitetit iu premtua kontrolli mbi komunën nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në vitin 2017 dhe nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj në vitin 2018, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Si Redzepi ashtu edhe Murati argumentuan se arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit politik që vjen si pasojë e faktit që boshnjakët e vendit nuk kanë një përkrahës të fuqishëm ndërkombëtar.

“Turqit ditën si t’i përdornin deputetët e tyre në parlamentin e Kosovës dhe patën ndihmë nga mbrojtësi i tyre, Turqia”, tha Redzepi.

“Turqit kanë presidentin Rexhep Tajip Erdogan, serbët kanë pretendimet e tyre bazuar në historinë e Serbisë” dhe shqiptarët janë shumica, tha Murati.

“Po ne çfarë kemi?”