Borrell i kthen përgjigje Kurtit për 5 propozimet e publikuara të martën

Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, i’a ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti pas 5 pikave të propozuara nga ai, duke theksuar hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e situatës në veri.

Si pikë e parë, ai ka thënë, se kryetarët e katër komunave veriore duhet që të punojnë nga lokacionet tjera, e që nuk janë ndërtesat e komunave.

Si hap të dytë ai ka përmendur tërheqjen e operacioneve policore të Kosovës në këto katër komuna, duke thënë që Njësia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet.

“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona” – ka shkruar Borrell.

Ai gjithashtu ka thënë se pikë e tretë është që zgjedhjet në komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.

“Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë Vuçiqit”- ka thënë ai.

Borrell në këtë letër drejtuar Kurtit, ka theksuar se ai është i gatshëm të thërras takim të nivelit të lartë, me një parakusht.

“Unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për deskalimin e parë dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja vendore”- ka thënë ai.

Borrell tutje ka theksuar se dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative

“Ashtu siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtetet anëtare të BE-së, dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe do të komunikojmë me to publikisht”- ka theksuar ai.

 

Letra e plotë e Borrell: 

 

Foto: Peter Stano, Twitter
Foto: Peter Stano, Twitter