Borrell: Diplomati suedez i BE-së u mbajt rob në Iran për mbi 500 ditë

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, konfirmoi të martën se Johan Floderus, një shtetas suedez 33-vjeçar që punon për Bashkimin Evropian, është mbajtur rob në Iran për mbi 500 ditë.

Për ta siguruar lirimin e tij, shërbimet diplomatike të Bashkimit Evropian “e kanë vënë çështjen në tryezë në mënyrë të pamëshirshme” në të gjitha takimet me homologët iranianë, ka deklaruar Borrell në një takim jozyrtar të ministrave të zhvillimit të BE-së në Cadiz, Spanjë.

Pak para njoftimit të Borrell, familja suedeze e Floderus lëshoi një deklaratë ku thuhej se “ne, familja e Johanit, jemi thellësisht të shqetësuar dhe zemërthyer. Johan u ndalua papritur dhe pa arsye gjatë pushimeve dhe tani ndodhet në burg në Iran për më shumë se 500 ditë” thanë ata.

Çfarë ndodhi me Floderus?

New York Times raportoi për herë të parë për burgosjen e Floderus të hënën, duke e përshkruar ndalimin e tij si diplomaci penu. Gazeta amerikane tha se Floderus u kap në aeroportin e Teheranit në prill të vitit 2022 pasi vizitoi Iranin me miqtë.

Irani njoftoi në korrik të vitit të kaluar se kishte arrestuar një burrë të dyshuar për spiunazh, dy javë pasi një shtetas iranian u dënua me burgim të përjetshëm në Suedi për rolin e tij në ekzekutimet masive të regjimit iranian në vitin 1988 të mijëra kundërshtarëve.

Irani i ka shënjestruar vazhdimisht të huajt, duke i burgosur ata me akuza për spiunazh ose shkelje të tjera të sigurisë kombëtare. Disa shtete e kanë akuzuar Iranin për praktikimin e “diplomacisë së pengjeve” – arrestimin e shtetasve perëndimorë për të marrë lëshime, të tilla si lirimi i iranianëve të ndaluar.

Diplomacia e pengjeve” të Iranit

Në gusht, pesë shtetas të Shteteve të Bashkuara të ndaluar në Iran u vendosën në arrest shtëpiak me kthimin e tyre eventual në SHBA lidhur me rezultatin e një negocimi për lirimin e aseteve iraniane me vlerë rreth 5.6 miliardë euro, të ngrira për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.

“Në fillim të këtij viti, Irani liroi dy austriakë, një belg dhe një danez. Lirimi lidhej me transferimin e një diplomati iranian nga Belgjika në Teheran, pasi ai ishte dënuar me akuza për terrorizëm.

Ndërmjetësi në atë kohë ishte shteti i Gjirit të Omanit, i cili tashmë kishte ndërmjetësuar midis Iranit dhe Perëndimit në disa raste./DW