Borell: Arritja e marrëveshjes së sotme, hap i rëndësishëm në dialog

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Prishtinës për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Borrell tha se marrëveshja e sotme është një hap i rëndësishëm në dialog.

“Fola me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti për t’i uruar ata për arritjen e një marrëveshjeje mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, tha Borell në ‘Twitter’.

Sot, në Bruksel është arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimeve të sotme u arrit pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes për energji dhe përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Fillimisht janë zhvilluar takime bilaterale të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë Lajçaku ka pasur edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. Nëse palët pajtohen sot për udhërrëfyesin për zbatim, atëherë BE-aj do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.