Bordi i RTK-së merr vendim për shpalljen e konkursit për drejtor të përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka autorizuar administratën e RTK-së që ta shpallë konkursin për drejtor të përgjithshëm të televizionit publik më 23 maj 2022.

“Pas miratimit të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së, Bordi në këtë mbledhje ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e datës 17 maj, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës aprovoi rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së.

Rregullorja përmban gjithsej 26 nene duke rregulluar dhe përcaktuar procedurat, kriteret, kushtet e veçanta, procedurat e vlerësimit dhe ato të intervistimit të anëtarëve të menaxhmentit të lartë nisur nga drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik.

Më 22 mars, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka vendosur që të mos e zgjedhte drejtorin e përgjithshëm të RTK-së me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjedhjen e një drejtori të ligjshëm.