Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken kërkon nga Rusia t'i tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi tërheqjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake ruse nga kufijtë e Ukrainës.

Blinken i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bëri të ditur zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Sipas tij, Blinken theksoi gatishmërinë e SHBA-së dhe të aleatëve të saj perëndimorë për të vazhduar bisedimet me Rusinë, në lidhje me shqetësimet reciproke të sigurisë.

Blinken përsëriti angazhimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për të drejtën e të gjitha vendeve për të përcaktuar politikën dhe aleancat e tyre të jashtme, tha Price.

Kryediplomati amerikan po ashtu tha se pushtimi i mundshëm i Ukrainës, do ta përballte Rusinë me pasoja të shpejta dhe të rënda dhe i bëri thirrje Moskës që të ndjekë rrugën diplomatike.

Rusia, tash e sa javë, ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Sipas inteligjencës perëndimore, trupat janë vendosur në distancë sulmi.

Rusia mohon se planifikon të sulmojë Ukrainën dhe ka paraqitur një sërë kërkesash për SHBA-në dhe NATO-n.

Kremlini, mes tjerash, ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.

SHBA-ja dhe NATO-ja i kanë hedhur poshtë këto kërkesa, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Biseda midis Blinkenit dhe Lavrovit është e para direkte mes tyre, prejse Uashingtoni u është përgjigjur me shkrim kërkesave ruse, javën e kaluar.

Para bisedës, Ambasada e Rusisë në Uashington tha se Moska nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve të SHBA-së për sanksione.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të takojë në Kiev presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy./REL