Kongresisti amerikan: Zhgënjyese deklarata e sekretarit Blinken për situatën në veri të Kosovës
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka komentuar deklaratën e sekretarit amerikan Anthony Blinken lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Kongresisti amerikan është shprehur i zhgënjyer nga deklarata e sekretarit Blinken që kritikoi vendimin e autoriteteve kosovare që kryetarët e tri komunave të shkojnë të ushtrojnë detyrën në objektet e Komunës.
Torres përmendi faktin që Kosova ishte e para që pranoi refugjatët afganë, gjë që ishte kërkesë e ShBA-ve.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-ve u duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u ngrit në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së” – ka shkruar kongresisti amerikan në Twitter.
Kosovo is an unwavering ally of the US. When the US needed countries to take in Afghan refugees, Kosovo was the first and among the few to rise to the occasion.
It’s disappointing to me and my Albanian constituents to see Secretary Blinken publicly attack a US ally. https://t.co/Ay9VwZMfh7
— Ritchie Torres (@RitchieTorres) May 27, 2023
Të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”- thuhet në reagimin e Blinken.
Të premten, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.