Blindohet stacioni i Deçanit, mblidhen krerët e policisë- FOTO

Krerë të institucioneve të drejtësisë e sigurisë ishin duke qëndruar deri para pak minutave në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur vrasja në Gllogjan, e që kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i një autobusi i cili ishte nisur nga Gjakova.

Krerët e departamenteve të policisë të prirë nga drejtori Samedin Mehmeti, tashmë janë bartur nga vendi i ngjarjes në stacionin policor në Deçan.

Disa pjesëtarë, numër i vogël i tyre, kanë mbetur ende duke marrë prova e fakte nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga aty tashmë janë larguar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj dhe edhe zyrtarët komunal.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar sonte për ngjarjen e rëndë e cila ndodhi në Gllogjan të Deçanit.

Një person, deri më tani sipas Policisë, po dyshohet për aktin e rëndë të kryer në orët e mbrëmjes me armë të tipit Kallashnikov.

Drejtori i Policisë Samedin Mehmeti para disa minutash tha se janë duke hetuar dy- tri pista në lidhje me rastin ndërsa Kryeprokurori Special Blerim Isufaj, konfirmoi se janë duke u intervistuar disa persona, hë për hë në cilësinë e dëshmitarëve.