Kryetari i Deçanit hedh dyshime për aktit terrorist në Gllogjan, Policia tregohet e rezervuar

Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, tek ka folur për atentatin që ka ndodhur orët e mbrëmjes në Gllogjan, tha se uron që të mos jetë sulm terrorist.

Ai nuk dha detaje të asaj se çfarë përmendi deri sa shtoi se rasti duhet të zbardhet në tërësi.

“Ka qenë rasti më makabër dhe tragjik që kemi përjetuar këto vitet e fundit dhe është një rast i papranueshëm dhe ne e dënojmë dhe ftojmë organet e rendit me e zbardh në tërësi këtë që ka ndodhur. Dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë vdekur. Unë shpresoj që këto raste të mos përsëriten askund në botë. Ta ruajmë qetësinë derisa të kemi një pasqyre të asaj që ka ndodhur, uroj që të mos jetë sulm terrorist”, tha Ramosaj para gazetarëve.

Në anën tjetër zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Pejës, Veton Elshani dha një tjetër version për rastin.

Elshani shtoi se nuk ka indikacione se rasti mund të jetë terrorist.

“Policia është njoftuar për të shtëna me armë, të shtënat kanë qenë në drejtim të një autobus, kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi hasur në shoferin e autobusit i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Persona të tjerë janë dërguar në spital, dy nga ta kanë vdekur. Nuk kemi ndonjë arsye të besojmë që kemi të bëjmë me ndonjë akt terrorist, ka mundësi që cak ka qenë dikush specifik në atë vend”, tha Elshani.

Tre persona kanë vdekur, dy nxënës dhe shoferi i autobusit mbi të cilin është shtënë. Atentati ndodhi me armë zjarri ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat që dërguan deri te tragjedia që ndodhi sonte në Gllogjan.

Ekipet policore, prokuroria e shtetit, forenzika dhe ekipet tjera hetimore janë në vendin e ngjarjes.