Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi tregon për kërkesën e vendeve të QUINT-it në lidhje me zgjedhjet e Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se vendet e QUINT-it janë angazhuar në gjetjen e formulimeve të caktuara që do të pajtohej pala kosovare në kërkesën që ua ka bërë Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill.

Nga BE sot kanë deklaruar se Kosova refuzoi propozimin e QUINT-it për zgjedhjet serbe.

Bislimi, deklaratën e ka dhënë në mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian, kur për këtë çështje është pyetur nga kryetarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Bislimi ka shtuar se Serbia nuk ka bërë kërkesë në institucionet e Kosovës.

“Ka pas kërkesa nga vendet e QUINT-it që të shihen modalitetet brenda të cilave këto zgjedhje mund të organizohen. Qeveria e Kosovës është e gatshme të asistojë në zgjedhjet e Serbisë në harmoni me praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Ne kemi pa jo gatishmëri të palës serbe t’i ndjek këto praktika… Qeveria e Serbisë ka hezituar arti drejtohet Kosovës për organizim të zgjedhjeve. Ne jemi në pritje të një kërkese të tillë”, tha ai.

Ndër të tjerash, zëvendëskryeministri ka shtuar se qeveria e ka prioritet  anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se, “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

BE: Kosova refuzoi propozimin e Quint-it për zgjedhjet serbe