Foto: ZKM

Bislimi takohet me komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, flasin për integrimin evropian të Kosovës

Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u takua me komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Takimi u fokusua në bisedimet mbi të arriturat e Kosovës, rrugëtimin drejt integrimit evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm.

Sipas njoftimit, në takim u tha se vëmendja e Qeverisë është e orientuar kah zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ka potencuar mesazhin e përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian dhe vijimësinë në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik e kohezion shoqëror”- thuhet në njoftim.

Bislimi ka falënderuar komisionerin Varhelyi për bisedën e frytshme, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Bislimi po qëndron sot në Bruksel, ku pritet të takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se takimet e sotme me zëvendëskryeministrin e Kosovës për dialog Besnik Bislimin dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq janë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Lajçak ka ndarë në Twitter dy fotografi me Bislimin e Petkoviqin, duke thënë se do t’i diskutojnë çështjet aktuale urgjente.

“Sot, jam duke mbajtur një takim dialogu në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështjet aktuale urgjente”- ka shkruar ai.

Takimi i sotëm vjen pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.