Foto: Kallxo.com

BIRN trajnon mediat lokale të rajonit të Prizrenit për verifikim të fakteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka mbajtur një trajnim me mediat lokale të rajonit të Prizrenit për standardet e verifikimit të fakteve.

Në pjesën e parë të trajnimit është ligjëruar për rëndësinë e fakteve në hulumtim dhe Krypometrin.

Në pjesën e dytë është ligjëruar për etikën në gazetari, raportimin e së vërtetës, privatësinë, të drejtat e autorit dhe mbrojtjen e burimeve.

Kurse në pjesën e tretë pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të marrin njohuri për raportimin duke u bazuar në kallxues apo sinjalizues, mënyrën e vërtetimit të fakteve, raportimin e sigurt në gazetari, hulumtimin bazuar në standardet e IFCN, hulumtimet e thella televizive.

Ligjërues të këtij trajnimi kanë qenë Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Visar Prebreza, redaktor përgjegjës për hulumtimet në BIRN Kosova dhe Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova.

Foto: Kallxo.com

Pjesë e këtij trajnimi kanë qenë gazetarë të mediave lokale, korrespodentë të mediave qendrore dhe monitorues në Prizren, Suharekë e Dragash.

Pjesëmarrësit e trajnimit të mbajtur sot, më 19 nëntor, janë pajisur me certifikata për njohuritë që kanë fituar nga ligjëratat dhe përvojat e tre ligjëruesve.

Gjatë muajve të ardhshëm BIRN do të mbajë trajnime të tilla edhe në Ferizaj dhe Gjakovë.

Ky trajnim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Foto: Kallxo.com