BIRN mban trajnim me studentët e gazetarisë për standardet e verifikimit të fakteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka mbajtur trajnimin dyditor me mbi 40 studentë të gazetarisë të kolegjeve private për standardet e verifikimit të fakteve.

Në ditën e parë të trajnimit është ligjëruar për rëndësinë e fakteve në hulumtim, krypometrin, etikën në gazetari, raportimin e së vërtetës, privatësinë, të drejtat e autorit dhe mbrojtjen e burimeve.

Dita e dytë e trajnimit mbi standardet e verifikimit të fakteve ka qenë e ndarë në dy pjesë.

Në pjesën e parë të trajnimit studentët kanë pasur mundësinë të marrin njohuri për mënyrën e vërtetimit të fakteve, raportimin e sigurt në gazetari, hulumtimin bazuar në standardet e IFCN, hulumtimet e thella televizive dhe hulumtimet bazuar në raportimet e sinjalizuesve.

Ndërsa në pjesën e dytë të trajnimit, studentët e kanë praktikuar intervistën ‘step-door’.

Ligjërues të këtij trajnimi kanë qenë Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Visar Prebreza, redaktor përgjegjës për hulumtimet në BIRN Kosova dhe Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova.

Pjesëmarrësit e trajnimit të mbajtur më 26 dhe 27 nëntor janë pajisur me certifikata për njohuritë që kanë fituar nga ligjëratat dhe përvojat e tre ligjëruesve.

Trajnim i njëjtë është mbajtur edhe me studentë të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës gjatë muajit tetor.

Përveç trajnimeve me studentë të gazetarisë, BIRN është duke mbajtur trajnim mbi standardet e verifikimit të fakteve edhe me media lokale. Gjatë muajve të ardhshëm trajnime të tilla do të mbahen në Ferizaj dhe Gjakovë.

Ky trajnim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).