Bien dy blloqe në KEK, ndërpritet furnizimi me ngrohje në Prishtinë

Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. ka njoftuar konsumatorët se për shkak të rënies nga sistemi të dy blloqeve të TC Kosova B dhe pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, është detyruar që të ndërpresë furnizimin me energji ngrohëse.

“Kjo do të jetë një ndërprerje e përkohshme derisa të rikthehet në funksion TC Kosova B, gjë që do të krijojë parakushtet për vazhdimin e furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët”, thuhet në komunikatën e Termokos.

“Që nga fillimi i realizimit të Projektit të kogjenerimit, është kjo sezona e gjashtë me radhë që NP “Termokos” dhe KEK kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, si rezultat i të cilit nuk ka pasur asnjë ditë ndërprerje të furnizimit me energji ngrohëse”, tha Termokos.

“Të vetëdijshëm për nevojën e konsumatorëve tanë për ngrohje këtyre mëngjeseve të ftohta ne shpresojmë në mirëkuptimin e tyre, në pritje të rikthimit të shpejtë në funksion të TC Kosova B dhe vazhdimin e furnizimit me ngrohje!”, thuhet në komunikatë.