Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë 20 shkurt 2023 – Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare

Biden thotë se do të kishte një armëpushim nëse Hamasi do të lironte pengjet e mbetura

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se do të kishte një armëpushim nëse Hamasi do të lironte pengjet e mbajtur në Gaza.

“Siç kam thënë, i takon Hamasit – nëse ata donin ta bënin, ne mund ta përfundonim nesër. Dhe armëpushimi do të fillonte nesër” –  tha Biden në një mbledhje fondesh në Seattle të shtunën, sipas gazetarëve prezent aty.

Familjet e pesë amerikanëve që besohet se mbahen peng në Gaza u takuan të premten me këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan dhe koordinatorin e Lindjes së Mesme, Brett McGurk.

Ata “i shprehën zhgënjimin e tyre të jashtëzakonshëm , veçanërisht pasi videot e fundit të pengjeve shfaqnin të dashurit e tyre të paaftë, të dobët, të zbehtë dhe nën presion të dukshëm”, tek zyrtarët e administratës Biden.

Në ndërkohë ekipet negociuese të Izraelit dhe Hamasit u larguan nga Kajro pa një marrëveshje në fillim të kësaj jave.

Militantët e Hamasit thanë se refuzimi i Izraelit i një plani armëpushimi të paraqitur nga ndërmjetësit në negociatat në Kajro i ktheu bisedimet për lirimin e pengjeve  në “sheshin e parë”.  Hamasi akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po pengon bisedimet e armëpushimit për të përdorur negociatat si mbulesë për të sulmuar qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Izraeli ka refuzuar vazhdimisht të bie dakord për një armëpushim të përhershëm në Gaza derisa Hamasi të mposhtet, edhe nëse të gjithë pengjet lirohen. Të martën, Netanyahu tha se “propozimi i Hamasit ishte shumë larg nga kërkesat thelbësore të Izraelit”/CNN/.