Besim Tahiri dëshmon në gjykimin ndaj Nebih Shatrit, i akuzuar për korrupsion me patentë shoferë

Ish-ushtruesi i detyrës i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi dhe ish-këshilltari politik i Ministrisë, Pjetër Ndou, dolën edhe një herë tjetër para Gjykatës për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Shatri e Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Ndou për ushtrim ndikimi.

Rasti ka të bëjë me keqpërdorime të dyshuara të kalimit të testeve për patentë shoferë, me punësim dhe tenderë.

Në këtë seancë gjyqësore janë dëgjuar gjithsej gjashtë dëshmitarë, ndër ta edhe Besim Tahiri i cili bën pjesë si i akuzuar në rastin e 53 milionëshit e i cili ishte dënuar me një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Besim Tahiri ishte ftuar për të dëshmuar në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për pyetës në kuadër të departamentit për patentë shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës, për periudhën e vitit 2017-2018.

Tahiri në seancën e së martës, 20.02.2024, tha se i njeh të akuzuarit për shkak që kishin qenë kolegë në Ministrinë e Infrastrukturës.

I njëjti tha se përgjegjësi e punës së tij ka qenë menaxhimi ditor i punës së pyetësve në terren duke mohuar të kishte pasur ndonjë rast ku ka marrë udhëzime nga të pandehurit për zhvillimin procedurave brenda këtij divizioni.

“Jo asnjëherë {nuk kam marrë udhëzime nga të pandehurit}, se përgjegjësi e imja ka qenë menaxhimi ditor i punës së pyetëseve në terren”- tha Tahiri.

Tahiri tha se pyetësit për punën që e kanë kryer ishin kompensuar por me vonesë.

Si dëshmitar tjetër në këtë procedurë është dëgjuar edhe Jakup Hoti, i cili në vitin 2017-2018 kishte qenë ushtrues detyre i udhëheqësit të divizionit të inspektorëve të autoshkollave.

Dëshmitari Hoti tha se kishin përpiluar raporte për numrin e personave se sa kanë qenë në provim, sa e kanë kaluar dhe sa kanë dështuar në provim për vozitje.

Sipas tij nuk ka pasur udhëzime nga ndonjë punonjës i ndonjë ministrie për mënyrën se si do bëhej marrja në pyetje e kandidatëve.

“Kandidati ulet e plotëson testin e ka kohën e paraparë 45 minuta apo sa caktohet”- tha Hoti.

Në këtë proces si dëshmitar janë dëgjuar edhe dëshmitari Sami Haziri, Leonora Limani- Bacaj, Burim Krasniqi dhe Burim Deliu.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 18.04.2024.

Gjykimi ndaj tyre kishte filluar rishtazi më 06.02.2024 meqë anëtari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, ishte avancuar në Departamentin special dhe në vend të tij si anëtar i trupit gjykues tashmë është caktuar Ertan Sejfulla. Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtarja Fatime Dermaku. Aktakuza është duke u përfaqësuar nga prokurorja, Arbresha Shala.

Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u.d. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.

Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë.

Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.

Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.

Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminues.

Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë periudha 2016-2018.

Për këtë rast janë 19 dëshmitarë të cilët do të dëgjohen dhe në mesin e provave ka edhe raporte të përgjimeve.

Kujtojmë që Nebih Shatri është njëri nga katër të akuzuarit e rastit të 53-milionëshit. Shatri akuzohet për keqpërdorim të detyrë zyrtare në bashkëkryerje dhe është shpallur fajtor.